Bojkotimi i seancave i krijon ‘telashe’ PAN-it në raport me ndërkombëtarët

Bojkotimi i seancave i krijon ‘telashe’ PAN-it në raport me ndërkombëtarët

Deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) vazhdojnë ta bojkotojnë seancën themeluese të Kuvendit të Kosovës me arsyetimin se u duhen edhe më shumë konsultime.

Në seancën e parë që u mbajt më 3 gusht, par para mbylljes së seancës nga kryesuesi Adem Mikullovci, deputetët e PAN-it u ngritën në këmbë për ta lëshuar sallën.

Ndonëse u përfol shumë se kryesuesi Mikullovci e mbylli seancën në mënyrë do të rregullt, atëherë e njëjta u thirr për në orën 15:00 si vazhdim i seancës së parë.

Por deputetët e koalicionit PAN vendosën të mos marrin pjesë. Dhe seanca u mbyll me kaq.

Kundërshtarët politikë atë ditë deklaruan se koalicioni fitues nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta themeluar Kuvendin dhe Qeverinë.

U organizuan edhe takime konsultative me kryesinë e përkohshme të Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare, por nuk u arrit asnjë rezultat.

Seanca e radhës u mbajt më 10 gusht. Edhe kësaj radhe nuk morën pjesë deputetët e PAN-it.

Një gjë e ngjashme pritet të ndodh edhe nesër, ku pritet të mbahet seanca e radhës. Deputetët e koalicionit fitues kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë.

Shtetet e QUINT-it thirrje deputetëve

Marrë për bazë se deputetët e koalicionit PAN po i bojkotojnë seancat e kuvendit, kjo ka bërë që shtetet e QUINT-it të reagojnë, duke kërkuar prej deputetëve që të marrin pjesë në seancat e kuvendit dhe të hapin rrugë në funksionalizimin e institucioneve.

Këto shtete, përmes një komunikate, kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen politike në vend të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

“Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë. Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën Evropiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe Qeveri për t’u ballafaquar me këto sfida”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Sipas kësaj deklarate, është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë këto institucione, por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

“Shpresojmë që liderët Kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjedhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, përfundon komunikata e shteteve të QUINT-it./Insajderi.com