Boiken Abazi deklarohet për sondazhin e VV-së, shpërfaq bindje anarkiste

Boiken Abazi deklarohet për sondazhin e VV-së, shpërfaq bindje anarkiste

“Vota është e shenjtë” – është shprehja që më së shumti e proklamojnë partitë politike para zgjedhjeve. Ato vazhdimisht proklamojnë frymën se pushteti merret me votë dhe jo në forma tjera.

Por, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, thotë se nuk mjafton vetëm vota. Ai kërkon edhe më shumë – kërkon mobilizim përtej votës.

Ndonëse sondazhi i fundit i Ombibus, nxori Vetëvendosjen si partinë e parë, Abazi thotë se nuk duhet vetëkënaqur. Sipas tij, sondazhet nuk i largojnë kriminelët nga pushteti, madje as vota.

“Sondazhet le të bëhen e le të diskutohen, por nuk duhet harruar asnjëherë se kriminelët që janë në pushtet në KS nuk do të largohen për shkak të sondazheve, madje për t’i larguar nga pushteti do të duhet edhe më shumë sesa thjesht vota. Prandaj roli i aktivistit dhe mobilizimi popullor janë kyç dhe të pazëvendësueshme”, ka shkruar Boiken Abazi në llogarinë e tij në facebook.

Ai thotë se shumë sondazhe që bëhen nëpër televizione e portale të ndryshme, përfshijnë militantë partiakë. Dhe kjo, sipas tij, vetëm sa për të krijuar shikueshmëri.

“Përzgjedhja e personave që marrin pjesë në këto sondazhe nuk është rastësore (gjë e domosdoshme për një sondazh shkencor), pasi në të marrin pjesë me vetë iniciativë kryesisht militantët e zjarrtë të subjekteve politike, pra jo njerëzit e thjeshtë dhe të paangazhuar politikisht të cilët përbëjnë edhe shumicën e votuesve”, ka shkruar më tej ai.

Sondazhe të tilla, thotë ai, nuk tregojnë ndonjë gjë të madhe në lidhje me votuesit dhe subjektet politike.

Por këtë bindje nuk e ka edhe për sondazhin e fundit që e nxori Vetëvendosjen si partinë e parë. Madje thotë se rezultatet e saj mund të shërbejnë edhe përfundime shkencore.

“Sondazhe si ai që paraqiti dje Lëvizja Vetëvendosje, të kryer nga Omnibus, i përmbushin kushtet për të nxjerrë disa përfundime të vlefshme shkencore lidhur me mënyrën se si po lëvizin votuesit, ama edhe këto sondazhe nuk garantojnë asgjë. Le të mos harrojmë se të gjitha sondazhet e nxirrnin fituese Hillary Clinton para zgjedhjeve në ShBA”, shkruan më tej a./Insajderi.com