Blushi: Nëse ndahet veriu, Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë

Blushi: Nëse ndahet veriu, Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë

Deputeti shqiptar, Ben Blushi, që është kryetar i partisë LIBRA, ka kritikuar diplomacinë shqiptare në lidhje me situatën në Kosovë, duke kërkuar që shteti shqiptar të merret seriozisht me këtë çështje.

Lidhur me paralajmërimin e udhëheqësve nga Prishtina lidhur me rrezikun e aneksimit të pjesës veriore nga Serbia, Blushin thotë se pasoja e vetme e ndarjes së Kosovës, do të ishte bashkimi i saj me Shqipërinë.

“Parlamenti duhet të merret seriozisht me çështjen e Kosovës. Unë kam propozuar një rezolutë në komision të jashtëm dhe do ishte mirë që të merrej me të,të kishte rezolutë në kushtet kur nuk ka një qëndrim sepse diplomacia jonë sot duhet ta bëjë të qartë se ndarja e Kosovës, ndryshim kufijsh në Ballkan, do kishte vetëm një pasojë. Nëse Kosova ndahet në veri, atëherë pasoja do ishte bashkim i Shqipërisë me Kosovën, pasoja e arsyeshme dhe e vetme nëse kjo ndodh”, ka thënë Blushi për Top Channel.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Shqipërisë se i mungon parashikimi në politikën e jashtme, dhe në këto kushte nuk mundet të ndihmojë Kosovën.

“Politikës sonë të jashtme i mungon parashikimi, nuk ka sens parashikimi, është si të thuash të luash basketboll pa dorë. Duke qenë e dobët Shqipëria sot nuk ka se si ta ndihmojë Kosovën. Investimi personal i kryeministri në Beograd sot nuk vlen asnjë gjë. Serbët nuk ia vlejnë miqësinë e çmuar që ofroi pa kushte. Ata mendojnë se e kanë këputur Shqipërinë që sot nuk mund të jetë një faktor në problemin e Kosovës. Shqipëria është aktori më i dobët sot në Kosovë”, ka thënë ai./Insajderi.com