Blogeri rus që luajti Pokemon Go, del para gjyqit

13.03.2017 10:47
Blogeri rus që luajti Pokemon Go, del para gjyqit

Një bloger rus, i akuzuar për huliganizëm dhe për nxitje të urrejtjes fetare, pasi ka luajtur lojën Pokemon Go në një kishë ortodokse ruse, doli sot para gjyqit në qytetin Jekaterinburg.

Ruslan Sokolovsky është arrestuar në shtator, pasi ka postuar një video të vetes së tij duke luajtur lojën shumë popullore në një kishë të Jekaterinburgut në muajin gusht.

Kanali i Sokolovskyt në YouTube ka rreth 300 mijë ndjekës.

Postimi i tij ka pasuar një paralajmërim të bërë nga televizioni shtetëror rus për të mos luajtur Pokemon Go në objektet fetare, shkruan REL.

Hetuesit e akuzuan Sokolovskyn për nxitje të urrejtjes fetare, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se ky është një “sulm qesharak mbi lirinë e shprehjes”.