“Blerim, o i gjori Sanço i Veselit” – reagimi i Hoxhës ndaj Latifit

“Blerim, o i gjori Sanço i Veselit” – reagimi i Hoxhës ndaj Latifit

Në flamurin verdhë e blu të Kosovës populli kolonizohet në idenë e një Evrope që e shpikin ekspertët dhe kombi harrohet bashkë me tërë shenjuesit e tij, me Skënderbe, me Abdyl Frashërin, me Hasan Prishtinën, me Adem Jasharin, me Ukshin Hotin

Të kërkoj falje Blerim, por e pashë shumë vonë që kishe marrë përsëri penën. Ndaj dhe përgjigjja që ndoshta e prisje më shpejt arriti vetëm sot. Prisja që, nëse do të vijoje me replikat, ato do të bëheshin gjithnjë e më koherente, më kërkuese të ndonjë saktësie përsa i përket lëmisë së filozofisë. Por ti thua të njëjtat gjëra si në tekstin tënd të parë. T’u përgjërova të mos ngatërroje konceptet, por ti ia ke nisur të rrënosh dhe figurat.

Natyrisht padija jote në filozofi dhe replikat e tua prej kasaphane nuk më ndalojnë mua me mendu filozofikisht. Sëmundja jote, opinioni, doksa, që për Platonin vijnë prej mangësisë në dialektikë, keqtrajton edhe Aristotelin që deri këtu e kishe lënë të qetë. I sabotove të gjithë filozofët. E lexova dy herë, sepse nuk dija si ta kuptoja: “Si filozof, do të duhej ta merrje në konsideratë logjikën aristoteliane, e cila thotë se një premisë e gabuar shpie në konkluzion të gabuar.” Pse, për të kuptuar një gjë kaq të rëndomtë e ke lexuar ti Aristotelin? Aristoteli nuk e thotë kurrë një gjë të tillë, sepse ky është kushti i sensit komun. Domethënë është kushti mos me qenë budallë.

Aristoteli flet në fakt për të gjithë tipet e silogjizmave që mund të ndërtohen, mbi ç’mundësi ontologjike, thelbësore, aksidentale ndërtohen këta silogjizma. Të ç’tipi duhet të jenë premisat që të mund të ketë silogjizma të mundshëm? Pra, flet për silogjizma që hyjnë në terrenin e të vërtetës, dhe për silogjizma që hyjnë në terrenin e pamundësisë së mendimit. A ka ndonjë metafizikë pas kësaj? Po: është fakti se aksidenca nuk mund të hyjë në llogaritë e qenies. Po të lexonte shkrimin tënd, të gjithë pohimet e tua, vetë Aristoteli do të nxirrte konkluzionin që subjekti yt predikon pohime në fushën e mosqenies. Ulu dhe lexo moduset, si dhe kategoritë e sasisë dhe cilësisë, për të kuptuar se si takohen universalët me partikularët, si çiftëzohen me kategorinë e cilësisë në mohim dhe pohim, si ndërtohen prej tyre gradët e bukurisë dhe vërtetësisë së silogjizmave. Besoj se pas një leximi të shpejtë ti do t’i kërkosh falje njerëzve për degjenerimin që i ke bërë mendjes intelektive më të lartë që mund të ketë njohur historia, Aristotelit. Nuk po të them më shumë, sepse unë jam Sizifi dhe si i tillë e di mirë që maja e filozofisë nuk arrihet aq shpejt sa Olimpi i Veselit.

Unë them më mirë lexo diçka më seriozisht. Sepse në fund të fundit, është Badiou filozof apo jo, nuk është shumë në dorën tënde. Por është në dorën tënde mos e degjenerosh Aristotelin.

Me njerëz si ty, nuk ka ardhur koha të mbrojmë filozofët, por lexuesit. Sepse kur lexuesit e kanë qejf opinionin mund të të lexojnë ty dhe të marrin për budallë Platonin. Ti më thua: “Si adhurues i Platonit, siç konsideron se je, do të duhej ta dije se e gjithë Republika e Platonit është shkruar si protestë kundër fuqisë së thashethemnajës, e cila në gjyqin e rrugës e dënoi me vdekje Sokratin, pikërisht se donte që njerëzit e qytetit t’i çlirojë nga thashethemnaja mbi punët e shtetit.”

Jo, Platoni nuk ishte kundër thashethemnajës, por mungesës së dialektikës në të folur, kundër efekteve retorike të komunikimit dhe ikjes poetike nga e vërteta. Platoni nuk ka qenë kurrë kundër pjesëmarrjes në shtet. Përkundrazi ka qenë partizan i flaktë. Ndaj të thashë që ti lexon divulgime të vlefshme për shkollat e mesme. Termi “pjesëmarrja” është më i rëndësishmi. Nuk është “ideja” koncepti më i rëndësishëm, por pjesëmarrja. Të jesh hije, nuk është keq. Me qenë hije, ose fenomen, është në natyrën e të paturit shpirt, sepse shpirti nuk bën pjesë në botën e ideve. Por me i pa hijet me këmbëngulje, si për shembull, një student të sheh ty dhe të merr për filozof, ti sheh Veselin dhe e merr për filozof, kjo është shkatërrimtare. Ndaj, mud ta kesh vënë re ndonjëherë që shkencës, sidomos kur të kalojmë nga Platoni tek Aristoteli, i ndalohet me qenë në aksidencë, por në jo në ngjashmëri.

Shkenca bëhet lëmia ku njeriu do ta gjejë të vërtetën përmes fushës së të dukshmes, të ngjashmes, reminishencës, etj. Këtu nis në fakt dhe ndarja mes mësuesit dhe nxënësit, Platonit dhe Aristoteit. Ky është dhe kuptimi themelor që do të zgjedhë Heideggeri kur të shkojë e të qëmtojë më thellë në botën e mendimit të lashtë, te parasokratikët, për të na treguar se grekët nuk kishin më të dashur të vërtetën, por zbulimin e saj, alitheia.

Se tani që thua ti, unë jam i detyruar të të shpjegoj ca gjëra me qëllim që ti, në shkrimin e rradhës, më mirë të shkruash ndonjë frazë të denjë sesa të thuash ende gomarllëqe të tipit Badiou, mbrojtës i Milosheviçit, apo edhe nga ato të tjerat të tipit uji i ngrohtë i Albinit.

Nuk të detyroj të shkruash ndryshe, kjo është në dorën tënde, por do t’u dëftosh të gjithëve se ti je turma vetë, dhe ngaqë ti ngul këmbë si mushkë në këtë fakt, edhe ata që kanë ndonjë shpresë te ti, Veseli për shembull, do ta kuptojnë që ti je turma. Në këtë rast rreziku është shumë i madh sepse mund të të heqë nga puna. Në fund të fundit, Veseli nuk do të ketë më nevojë për këshilla, e madje nuk ka patur nevojë kurrë.

Kështu që t’i vazhdon me gjyqin që iu bë Sokratit dhe mendon se e vranë sofistët. Po të lexosh studiuesit më të thekur të filozofisë greke, do të thonë se Platoni dhe Aristoteli e fituan betejën, sepse qenë më sofistë se sofistët. Gjyqin kundër Sokratit e bënë ekspertët – ata që dinin, sipas Platonit, shumë pak për shtetin – të mbështetur nga turma – ekspertët donin shumë ta kthenin popullin në turmë: dhe për ta bërë një popull turmë, mjaft t’i vrasësh tipat si Sokrati e të shtosh tipat si ti.

Pra ekspertët ishin ata që çnatyronin çdo sistem, pasi i kufizonin sistemet në një prej predikateve të tyre më të shëmtuar. Për shembull, të zhvillosh te njeriu vetëm ndjenjën e shërbëtorit, kur njeriu ka dhe predispozita të tjera. Pra, dhe një herë: ekspertët, duke i vrarë fytyrën Sokrat (silogjizmi Barbara) të popullit, e kthyen popullin në turmë. Ekspertët bashkë me turmën vranë dialektikën. Cila ishte akuza: po na i korrupton të rinjtë me edukim, kur sipas ekspertëve, të rinjtë, fare thjeshtë e pa ndonjë ambicje në mendim, duhet të trashëgonin të vërtetën pa devizën “Njih vetveten!” Akuza është e njëjtë me atë që ngre ti kundër VV dhe meje: ne të Vetvendosjes po e korruptojmë shtetin me idenë se ekziston populli.
Siç të thashë më sipër unë nuk jam ti.

Ti je te mëhalla. Nga mëhalla jote ti di që unë jam marksist, sepse në mëhallë për tërë burrat me mjekër thonë se janë si Marksi. Nga mëhalla jote ti di që unë e të tjerë po humbim “kohën në refleksione gjenerike mbi marrëzitë ideologjike të shekullit të kaluar”, a thua se duhet ta humbim kohën mbi refleksione jogjenerike të shekullit të ardhshëm. Deri tani me ftesën tënde folëm për Platonin, Aristotelin, pra jo për shekullin e kaluar. Ndoshta ti do të thuash se nga mëhalla jote vetëm shekulli i kaluar është i skaduar. Por ai është shekulli i filozofëve të rinj për të cilët më flet ti, si dhe i rezistencës dhe i gjakut të shqiptarëve. Nga mëhalla jote, Orwell lexohet përmbys: unë që lexoj në fushën time quhem derr, ndërsa ti që thua gjëra të një cektie proverbiale je kali.

Nga mëhalla jote mund të ndërtohet një pohim i këtij tipi: “Si lexues i Hegelit do të duhej ta dije se shteti dhe drejtësia nuk bëhen kështu dhe po si lexues i Hegelit do të duhej ta mësoje se gjykimi filozofik nuk niset nga thashethemnaja, sëpaku po të lexoje pjesën e fundit të “Filozofisë të së drejtës” ku Hegeli analizon thelbin e opinioneve të publikut, ku bashkohen të gjitha paragjykimet dhe thashethemet e rrugës”. I shkreti Hegel, çfarë gjuhe të rëndomtë që përdor. Këtë e thotë dhe fqinji im që rri tërë ditën te kafja e lagjes. Nuk morëm vesh nga citimi yt se cila është zgjidhja që jep Hegeli për të mos lënë që thashethemnaja jote të mbulojë faqet e gazetës Express.

Po përsëris se jam i gatshëm të vijoj me replika, madje dhe me një debat televiziv siç thua ti, por më së pari lexoje pak André Gluksmann para se të përdorësh emrin e tij. Sepse nuk hyn fare në linjën tënde. Po e lexove do të zhgënjehesh. Të jesh i sigurtë se nuk do t’i jepte kurrë këshilla tipit të shefit tënd. Është akuza më e madhe ajo që i bën ai nihilizmit, ngaqë ky i fundit e ka burimin te një pragmë e kufizuar.
Më fal, por nëse fillon të përzjesh gjithçka, unë nuk mund të të ndjekë.

Ti mund të ngatërrosh revolucionet me njëri-tjetrin, ujin e ngrohtë të Albinit me armën në dorën e Veselit, por unë jo. Sepse nuanca dhe diferenca janë synimi i mendimit. Kjo e bën njeriun të ndahet prej turmës që ka në trup dhe në shpirt. Kjo e bën filozof e qytetar. Ti je turmë në mendim. Ti shpreson se duke e projektuar mbi të tjerët do të mund të spastrohesh. Transferti nuk funksionon kështu. Turmë do të mbetesh, këshilltar e mësues turmash do të jesh.

Po të përsëris një devizë filozofike që kam. Populli është një unversal, kombi një transhendental historik dhe shteti një realizues politik, pra gjithnjë më i përkohshëm se populli dhe kombi. Dhe këtu qëndron një pikë thelbësore e historisë së shqiptarëve. Duke qenë se shumica kanë menduar pa filozofi, shtetin e kanë parë si realizimin urgjent dhe popullin si jo të domosdoshëm. Kështu që ne kemi përvetësuar me lehtësinë më të madhe të tërë format e shtetit që na janë ofruar. Dhe shteti i ofruar merr formën e perandorisë cilado qoftë natyra dhe përmasa e tij. Dhe populli që nuk përpiqet të jetë popull, kur pranon një shtet pa qenë popull, kthehet në i kolonizuar.

E këtë e mëson te Platoni, te Hegeli, te lufta e madhe që i bëjnë filozofët më të mëdhenj të shekullit të shkuar përfytyrimit [representation]. Sepse shteti pa popull kthehet në një përfytyrim, në një ideologji ku harrohet shënjuesi i kombit. Si të ta them unë më shkurt: në flamurin verdhë e blu të Kosovës populli kolonizohet në idenë e një Evrope që e shpikin ekspertët dhe kombi harrohet bashkë me tërë shenjuesit e tij, me Skënderbe, me Abdyl Frashërin, me Hasan Prishtinën, me Adem Jasharin, me Ukshin Hotin.

Çdo njeri i zakonshëm i Kosovës mund ta pranonte thjesht nga lodhja flamurin, ndërsa dikush me formim filozofik nuk mund ta bënte një të tillë. Duhet t’i thoshte ndërkombëtarëve, edhe pse i pafuqishëm për t’i bindur, se ne si popull nuk kemi nevojë të na e japin përfytrimin, ideologjinë [representation] sepse na duhet ekzistenca sipas shënjuesve tanë, paraqitjes, shfaqjes në botë, sipas emrit tonë historik [presentation]. Shqiptar është një prej emrave tanë historik, siç është arbër. Por sa më shumë emra të tjerë të shpikësh në histori, aq më i vogël në shtrirje dhe aq më pak historik do të jesh. Si të ta them unë ty më mirë. Ç’të bëj unë që ti nuk e ke mendimin për ta ushtuar, por për ta shitur. Mbaron një ditë i gjori mendim. Njeriu kthehet në Sanço dhe mbetet i tillë dhe kur i ka humbur Don Kishotin.