Audi Q7 e Isa Mustafës është shitur sot në ankand publik për 22 mijë e 500 euro. Kjo veturë ishte blerë 76 mijë euro për ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Veturën e shumëpërfolur që kishte vetëm 70 mijë kilometra të kaluara, arriti ta blejë Lulëzim Kastrati nga Peja.
Blerësi tha se është adhurues i veturave të shtrenjta dhe nuk ka pasur kurrfarë qëllimi që t’i ndihmojë Shpend Ahmetit ta përmbushë një nga premtimet elektorale.
“Nuk më pengon që e ka vozitur Isa Mustafa, përkundrazi… Çmimi është i lirë”, tha Kastrati.
Ai deklaroi se pagesa për veturën nuk ihste në vlerë reale, por ai ka thënë se ka përfituar nga blerja e Audi Q7.
“Jam simpatizues i automjeteve, dhe më pëlqejnë veturat. E di që e ka pasur çmimin më të lartë në fillim, dhe kjo nuk është vlera reale, është lirë… nuk është shtrenjtë”, ka thënë ai. /Insajderi.com