Blegtorëve të Prishtinës u dhurohen makina mjelëse

Blegtorëve të Prishtinës u dhurohen makina mjelëse

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin për Bujqësi, Ferat Makollin, u kanë shpërndarë blegtorëve të Prishtinës makina mjelëse, përmes të cilave siç thotë komuna, do të rritet dukshëm efikasiteti i punës së blegtorëve.

Siç njofton komuna, këto makina janë donacion nga shteti i Turqisë.

Drejtori Makolli falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke theksuar se është në bisedime edhe me organizata të vendeve të tjera ashtu që të rriten donacionet për bujqësinë dhe blegtorinë në Prishtinë.

Kurse në fjalën e saj të rastit, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, tha se sot po realizojnë një projekt shumë të rëndësishëm për ekonomitë familjare të Prishtinës.

“Falënderoj Komunën e Prishtinës për angazhimin në këtë bashkëpunim, dhe gjithashtu organizatën TIKA. Po i dhurojmë sot këto makina mjelëse, si përkrahje e duhur për juve. Pranoni këto si dhurata nga populli turk, në emër të miqësisë në mes dy popujve tanë”, tha para blegtorëve Ambasadorja Kılıç, njofton Komuna e Prishtinës.

Kurse Ahmeti ka thënë se pa zhvillimin e bujqësisë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

“Pa bujqësi nuk mund të zhvillohemi. Prandaj kemi kërkuar ndihmë edhe nga donatorët. Nuk ka ditë më të mirë për Kryetar të Komunës, sesa kur pranon ndihma të tilla për qytetarët e vet”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Ai në emër të blegtorëve falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke shpresuar se në të ardhmen do të kemi sa më shumë projekte të tilla të bashkëpunimit.