Biznesmenët e njohur që synojnë të zgjedhen asambleistë

Biznesmenët e njohur që synojnë të zgjedhen asambleistë

Jo vetëm politikanët synojnë të bëhen pjesë e asambleve komunale nëpër komuna. Garës për mandate të asamblistëve nëpër komuna i kanë hyrë edhe disa sipërmarrës, të cilët thonë se synojnë të bartin përvojat e tyre prej biznesmenëve edhe në politikë.

Hashim Deshishku nga LDK, Gani Kadrijaj dhe Irfan Fusha nga PDK, si dhe Jahir Morina e Nuel Kalaj nga AAK  janë pesë kandidatë që vijnë nga fusha e biznesit, e që synojnë të fitojnë nga një ulëse të asamblesitit në disa komuna.

Hashim Deshishku vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë. Deshishku është drejtor i ndërmarrjes për shitjen e dyerve dhe dritareve, Lesna. Ai po ashtu është pronar i kompanisë ndërtimore “Deshishku Construction”.

Kompania të cilën e drejton kandidati për asamble komunale në Prishtinë merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jo banesore, me ndërtimin e rrugëve dhe me aktivitete të tjera të ndërtimit, raporton Insajderi.

Pasi kishte marrë besimin e LDK-së për të garuar për asamblist në Komunën e Prishtinës, Deshishku ka premtuar se do të jetë përfaqësues i denjë i qytetarëve të kryeqytetit.

“Do të më votoni që të jem përfaqësues i zërit tuaj dhe ju premtoj dhe siguroj se nuk do t’iu zhgënjej në asnjë moment”, kishte deklaruar 52-vjeçari, pasi ishte përzgjedhur në mesin e kandidatëve të LDK-së për Asamblenë Komunale në Prishtinë.

E në Lipjan, garës për Asamble Komunale i është futur sipërmarrësi Gani Kadrijaj. 42-vjeçari vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai është pronar i kompanisë ndërtimore “Budakova” – e cila numëron mbi 50 punëtorë.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Kadriaj do të garojë për herë të parë për të fituar një vend në Asamblenë Komunale të Lipjanit.

Po ashtu nga radhët e PDK-së, por për dallim nga Gani Kadriaj, Irfan Fusha do të synojë të fitojë një mandat të asamblistit në Komunën e Prizrenit.

Fusha është pronar i ndërmarrjes tregtare “ABI”. Kjo kompani merret me prodhimin e një sërë produkteve ushqimore, përfshirë edhe produktet e bulmetit.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij si kandidat për Asamblenë Komunale të Prizrenit nga radhët e PDK-së, sipërmarrësi 64-vjeçar ka treguar prioritetet e tij nëse arrin të fitojë një mandat prej asamblisti.

“Do të përpiqem dhe do të punoj për të mirën e të gjithë qytetareve, që ky qytetar ta ndjejë veten të respektuar brenda komunitetit dhe lokalitetit ku ai jeton dhe ta ketë një mirëqenie që i garanton një jetë të dinjitetshme”, deklaroi Fusha, në një intervistë për Albeu.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka në radhët e veta dy biznesmenë që i janë futur garës për asamblistë.

Në Komunën e Prishtinës, sipërmarrësi Jahir Morina është në mesin e kandidatëve për asamblistë nga radhët e AAK-së – që si kandidat për kryetar komune ka Arbër Vllahiun.

Morina është pronar i kompanisë “Princesha Construction”, e cila merret me ndërtime banesore dhe jo banesore, si dhe me aktivitete të tjera që kanë lidhje me ndërtimin. Kompania e Morinës operon në kryeqytetin kosovar, raporton Insajderi.

Përveç Morinës, edhe një sipërmarrës tjetër nga radhët e AAK-së i është futur garës për asamblist. Nuel Kalaj është biznesmeni i njohur nga Prizreni që i është futur garës për Asamble Komunale.

Ai do të garojë për herë të parë si kandidat për Asamblenë Komunale të Gjakovës me AAK-në – që ka si kandidat për kryetar në këtë komunë, Ardian Gjinin. /Insajderi.com