BIK: Të rindërtohet xhamia te ura e Ibrit

BIK: Të rindërtohet xhamia te ura e Ibrit

Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi ka këmbëngulur për rindërtimin e xhamisë së rrënuar, afër urës mbi lumin Ibër, në veri të Mitrovicës. Madje, për këtë qëllim ka pasur tri donacione dhe leje ndërtimi nga komuna. Por, e vetmja që ka munguar, ka qenë siguria.

Sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi shprehet i sigurt se xhamia gjithsesi do të rindërtohet.

“Në atë vend ka qenë xhamia dhe do të bëhet xhamia. Le të bëhet çkado aty, aty do të bëhet xhamia me emër të Zotit. Por, na kemi dashur që kjo xhami të bëhet duke na ofruar siguri për ndërtimin e saj, e jo me dërgu njerëz të cilëve mund t’u ndodh ndonjë e papritur. Sigurinë, duhet ta ofroj aktualisht KFOR-i, gjegjësish organet ndërkombëtare”, ka thënë Rexhepi për Radio Dukagjinin.

Por në vendin e xhamisë thuhet se është planifikuar të ndërtohet një fushë tenisi në kuadër të rivitalizimit të urës mbi Ilëb.

Po Rexhepi thotë se do të përdorin të gjitha të gjitha mjetet demokratike për të realizuar rindërtimin e xhamisë aty.

“Deri në Strazburg dhe përtej Strazburgut. Do të bëjmë çmos, nuk do të ndalemi, duke kërkuar që të na mundësohet rindërtimi i asaj xhamie”, ka shtuar ai.

Sipas sekretarit të BIK-ut, Resul Rexhepi, ata kanë insistuar shumë herë që çështja e rindërtimit të xhamisë të jetë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Ndryshe, një kohë është përfolur dyshimi se nën hapësirën e xhamisë së rrënuar, gjendet varreza masive e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit.