Bie papunësia në Shqipëri

Bie papunësia në Shqipëri

Instituti i statistikave njoftoi se papunësia në Shqipëri për moshën nga 15 deri 74 vjeç ka rënë në nivelin 15,5 përqind në tremujorin  e dytë të vitit, njofton Top Channel.

Me një rënie prej 1,1 përqind krahasuar me tremujorin e parë. Që nga tremujori i dytë 2013 niveli i papunësisë në Shqipëri ka njohur nivele nga 16 deri në 18,2 përqind dhe kjo është rënia e parë nën pragun 16 përqind.

Sipas Anketës së Forcave të Punës, në terma vjetorë punësimi u rrit me 6,8 %.  Papunësia është më e lartë te meshkujt sesa tek femrat.

Ndërkohë, sipas grupmoshave, niveli i papunësisë është më i lartë tek të rinjtë nga 15 deri 29 vjeç me 29,9 përqind, tendenca sipas INSTAT është me rënie të lehtë. Grupmosha më e konsoliduar, ajo nga 30 deri në 64 vjeç ka një nivel papunësie prej 11,9%, edhe këtu vërehet një rënie e nivelit të papunësisë me gati 1 pikë përqindjeje. Instituti i Statistikave raporton se popullsia e moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo-aktive është në nivelin 34,2 %.

Vlerësohet se pjesa me e madhe e popullsisë jo aktive për punë rreth 19% e këtij është duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,7 % e saj është në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 9,9 % në paaftësi të përhershme.

Anketa Tremujore e Forcave të Punës  është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Baza e zgjedhjes se përdorur është censusi i 2011-s. Për tremujorin e dytë anketimi u bë me rreth 8 mijë familje.