Biblioteka Kombëtare fiton grant për mirëmbajtje profesionale

17.09.2016 09:59

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, vepër e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq, është cilësuar nga ky fondacion si një nga “mrekullitë e arkitekturës moderne” në botë.

Biblioteka Kombëtare fiton grant për mirëmbajtje profesionale

Për herë të parë që nga themelimi i saj, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të mirëmbahet nga profesionistët. Një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë, “Getty Foundation”, ka ndarë një grant për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë.

Ky fondacion është pjesë e J. Paul Getty Trust, që është një prej institucioneve më të madha të artit në botë. Ekipi i tyre i ekspertëve çdo vit zgjedh veprat më të mira të shekullit 20 dhe 21, për t’i ruajtur dhe rinovuar ato.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, vepër e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq, është cilësuar nga ky fondacion si një nga “mrekullitë e arkitekturës moderne” në botë.

Ky objekt asnjëherë nuk është mirëmbajtur nga profesionistët, por vetëm nga stafi i Bibliotekës, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i këtij institucioni, Fazli Gajraku,duke shtuar se një mirëmbajtje profesioniste dhe çdo ndërhyrje e renovim që bëhet është shumë e mirëseardhur.

“Ky është projekti i parë që do të detektojë dhe do të saktësojë se çfarë është e vlefshme dhe çfarë duhet të ruhet në këtë Bibliotekë si pjesë e një historie të rëndësishme të arkitekturës dhe të koncepteve estetike që i ka si objekt kjo Bibliotekë”, thotë Gajraku.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është inauguruar në vitin 1982. Ajo ka dritare zenitale në formë të kupolave (gjithsej 99 kupola).