Beteja e tri partive për pushtet në dy komuna

20.11.2017 23:22
Beteja e tri partive për pushtet në dy komuna

Tri partitë më të mëdha në Kosovë, LDK, PDK dhe Vetëvendosje janë mbërthyer në një betejë të vetme: mbrojtjen e dy qyteteve të mëdha, Prishtinën dhe Prizrenin.

Lëvizja Vetëvendosje me Shpend Ahemtin arriti që me 237 vota më shumë sesa kandidati i LDK-së Arban Abrashi, ta mbajë pushtetin në kryeqytet, ndërsa në Prizren arriti t’ia  marrë “Jerusalemin e PDK-së” për 329  vota më shumë se Shaqir Totaj.

Por votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta kanë krijuar një rezultat jo të sigurtë për asnjërën.  Në Prishtinë vota me kusht janë 1824 vota të panumëruara ndërsa në Prizren janë 1637 vota.

Por derisa numërimi i këtyre votave ende nuk ka përfunduar, kanë nisur të dalin në pah akuza që shpërfaqin një betejë të ashpër mes tri partive kryesore.

Dhe kjo betejë ka ndërlidhur PDK-në, LDK-në dhe Vetëvendosjen. Pasi Insajderi publikoi të dielën një bisedë të drejtuesve të PDK-së në Prishtinë që mobilizoheshin që në orët e fundit të dalin në votime për ta rrëzuar Shpend Ahmetin, ishte pikërisht Ahmeti që në një emision në KTV, tha se LDK dhe PDK kanë pasur marrëveshje të fshehtë mes vete.

Sipas Ahmetit ka egzzistuar një marrëveshje e fshehtë mes PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë dhe Prizren që LDK ta përkrahë kandidatin e PDK-së në Prizren në këmbim të përkrahjes së PDK-së për kandidatin e LDK-së në Prishtinë.

Por këto akuza i mohuan edhe anëtarët e LDK-së edhe të PDK-së. Këto dy parti thanë se Vetëvendosje nuk e ka sigurtë asnjërën nga komunat.

“Prizrenin do ta marrim. Kemi dhënë oferta shumë të mira. Në bazë të trendit të votave me kusht, PDK-ja do të fitojë edhe në Prizren”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, ministri Uran Ismaili.

E Arban Abrashi, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës vazhdoi linjën e partisë, përkatësisht të Lutfi Hazirit i cili nuk përjashtoi kërkesën për rinumërim të votave në kryeqytet.

“Do ta kërkojmë nga organet kompetente të hetojmë këtë rast deri në fund dhe pastaj do të vendosim sesi të veprojmë. Por ajo që po vërtetohet gjithnjë e më shumë është se Prishtina tashmë ka një kryetar të ri”, tha Abrashi në një postim në Facebook.

Kësisoj “beteja” e këtyre tri partive për dy komuna pritet të vazhdoi derisa KQZ-ja do të përfundojë numërimin e votave me kusht që priten të përfundojnë brenda kësaj emri./Insajderi.com