Berlini mos të guxojë të zëvendësojë Londrën

Mbretëria e Bashkuar shikon e shqetësuar tentativat gjermane për të konsoliduar një bërthamë ushtarake dhe gjeoekonomike në kontinent. Me Brexit, britanikët ia bënë vetes. Gjermania e deteve kundër Gjermanisë së lumenjve.

Berlini mos të guxojë të zëvendësojë Londrën

Pothuajse me siguri, Mbretëria e Bashkuara do të ishte e pranishme qysh nga fillimi në çfarëdo përplasjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Dhe nuk do të kufizohej në pjesëmarrje aktive, por do të bënte si protagoniste.

Kohët e fundit Brendan Simms, Profesor në Cambridge University, e ka shpjeguar në mënyrë të qartë motivin: «Mbretëria e Bashkuar ka luajtur dhe luan një rol unik në sistemin europian.

Nuk është në asnjë mënyrë e “ngjashme” me shtetet e tjera të “klubit” që po lë. (…) Bashkimi Europian mund të ndjehet si një klub dhe të vendosë të gjitha rregullat që do, por nuk duhet ta harrojë kurrë se anglo – amerikanët janë pronarët e terrenit mbi të cilin ngrihet cirku.

Brukseli dhe kryeqytetet e tjera kontinentale maksimumi janë qiraxhinjtë, në shumë raste vetëm banorët, e këtij urdhëri. E thënë ndryshe, Mbretëria e Bashkuar nuk është vetëm një “hapësirë” tjetër europiane për t’u rregulluar, por një prej fuqive kryesore rregulluese të kontinentit».

Për të kuptuar mendimin e Simms është e nevojshme për një arkeologji të shkurtër gjeopolitike. Në shekullin e kaluar, përkrah Gjermanisë dhe Rusisë, britanikët janë demonstruar një prej 3 qendrave të mëdha të gravitetit gjeopolitik në kontinentin europian.

Motivet janë të shumta, por gjeografia ka një rol të madh. Siç e kuptoi në vitet ’40 gjeostrategu hollandezo – amerikan Nicholas Spykman, Ishujt Britanikë zënë një pozicion komandues: të ndodhura pak larg Europës Veriperëndimore, mund të përdoren për t’i bllokuar aksesin kontinentit ose për t’i penguar vendet që e popullojnë të dalin në oqean. Kështu që janë një rëndësi si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për fuqitë e mëdha europiane – historikisht Spanja e Franca, sot Rusia e Gjermania.

Në mënyrë të ngjashme, kur janë kërcënuar, u japin një bazë të pakrahasueshme njerëzve që e banojnë, duke qenë të pasura në resurse, të populluara dhe të pajisura me një seri portesh të mrekullueshme.

Përbërës të përkryer për të ruajtur një Marinë të mrekullueshme që zmbraps pushtimet, grumbullon fuqinë mbi brigjet kontinentale dhe projekton forcën ekonomiko – ushtarake të vendit që e komandon në zemër të Europës. Kështu që nuk do të përbënte habi fakti që gjeografia e Ishujve Britanikë të drejtojë qasjen e Londrës në tokën kontinentale.

Me përjashtim të ndonjë flirti sporadik me Francën perëndimore gjatë luftërave të gjata të Mesjetës, Mbretëria e Bashkuar ka demonstruar interest ë pakët ndaj një ekspansioni në kontinent: ishte shumë i kushtueshëm dhe shumë i bezdisshëm.

Shtetarët britanikë kanë preferuar pothuajse gjithmonë një Europë «liberale», në të cilën asnjë fuqie të mos i lejohej që të dominonte vendet më të vegjël. Londra ka kërkuar gjithmonë të parandalojë shfaqjen e një hegjemoni europian dhe – kur nuk ia ka arritur – ka dhënë të gjithë vetveten për të ndërtuar një koalicion që t’ia shuante ëndërrat fuqisë aspiruese.

Sër Winston Churchill e shprehu me elokuencë këtë qasje gjeostrategjike në të famshmin e tij “History of the English-Speaking Peoples” menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore: «Për 400 vjet me radhë, politika e jashtme e Anglisë ka qenë kundërvënia ndaj fuqive më të forta, më agresive e më dominuese të kontinentit dhe sidomos të pengonte që Vendet e Ulëta të binin në duart e një fuqie të tillë.

(…) Mund të vëreni sesi politika e Anglisë nuk merr në konsideratë faktin se cili është kombi që tenton të dominojë Europën. Pyetja nuk është nëse është Spanja, monarkia franceze, perandoria franceze, perandoria gjermane apo regjimi i Hitlerit. Nuk ka të bëjë aspak me qeveritarët apo me vendet; preokupohet vetëm me cilindo që është më i forti apo tiranin potencialisht dominues».

Me ngjitjen e fuqisë amerikane në vitet Dyzet, Uashingtoni nuk ka kërkuar vetëm ndohmën e Ishujve Britanikë – dhe, për pasojë, të Mbretërisë së Bashkuar – për të mbështetur dispozitivin e vet global, pork a ndarë edhe qasjen «liberale» të Londrës ndaj tokës kontinentale.

Amerikanët e kanë kuptuar shpejt se nuk do të kishin mundur të vepronin në Europë pa u kushtuar vëmendje interesave britanike: kishin nevojë për akses në bazat e mëdha e të sigurta ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, ashtu si për territore të tjera britanike të Përtejdetit. Shtetet e Bashkuara kuptuan të ndanin perspektivën europiane të Londrës, vetëm se në shkallë më të gjerë. Spykman e përmbledh mirë: «Shkalla është ndryshe, njësitë më të mëdha dhe largësitë më të mëdha, por skema mbetet njësoj».

Reciprokisht, Londra kuptoi – sidomos pas shenjave paralajmëruese lidhur me perandorinë e saj – se do të kishte mundur ta amplifikonte më mirë influencën e saj ndaj Europës duke shfrytëzuar lidhjet e farkëtuara nga historia, nga një gjuhë e përbashkët dhe nga gjaku me degën e saj veriamerikane.

Por kjo kërkonte të përfshihej Uashingtoni (dhe Otava) në mënyrë të përhershme në sigurinë europiane.

Me traktatin e Dunkerque të 1947 dhe të Brukselit të 1948, që i shtrinë garancitë e mbrojtjes britanike tek Franca dhe Vendet e Ulëta, Mbretëria e Bashkuar mori drejtimin e themelimit të rendit gjeopolitik europian të pasLuftës së Dytë Botërore.

Bashkimi Europian Perëndimor, rezultat i marrëveshjes së Brukselit, i hap rrugën NATO-s, në të cilën amerikanët dhe kanadezët do të pranojnë të aderojnë në 1949. Britanikët u pajisën edhe me bombë atomike për t’i shtrënguar amerikanët që ta thellojnë bashkëpunimin, pëprjekje ekuivalente me ndarjen e inteligjencës nëpërmjet rrjetit Five Eyes, i prirur parasëgjithash të minotorojë çështjet europiane.

Frikësuesi bërthamor anglo – amerikan, bashkë me traktatin relativ të mbrojtjes reciproke, u bënë skeleti rreth të cilit do të ndërtohej NATO. Të mbështetura nga fuqia e tyre mbresëlënëse ushtarake dhe financiare, demokracitë atlantike – Kanada, Shtete të Bashkuara, Mbretëri e Bashkuar – hodhën kështu themelet gjeopolitike, në cilësinë e pronarëve të tokës, të ndërtesës së integrimit europian.

Fuqia e re e Gjermanisë – pavarësisht nga fakti që është gjeneruar kinse apo prej fajeve të të tjerëve – është në gjendje të inaugurojë një çështje tjetër gjermane, ndoshta akoma më të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar sesa për Shtetet e Bashkuara.

Development, Concepts and Doctrine Centre e Ministrisë së Mbrojtjes Britanikë – celula e parashikimit strategjik e qeverisë së Madhërisë së Saj që përgatit strategjinë e sigurisë kombëtare dhe rishikimet e mbrojtjes e të sigurisë – ka qenë ndër organet e para ekzekutive që kanë nënvizuar implikimet e një hegjemonie eventuale gjermane në një raport të 2014: «Nëse një vend europian do ta mbizotëronte ndjeshëm pjesën tjetër të Bashkimit Europian nga pikëpamja financiare, preokupimet për politikën e brendshme mund t’i shtyjnë liderët e këtij shteti që ta përdorin influencën e tij për ta dominuar kontinentin jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, duke e vënë seriozisht në rrezik kohezionin e Bashkimit Europian.

Në këtë situatë, Europa mund të përçahej midis vendeve që varen nga një fuqi e tillë e madhe dhe ata që janë irrituar. Ekziston rreziku që NATO mund të humbasë efikasitet, nëse rast se vendet europiane e vënë besnikërinë apo kundërshtimin ndaj fuqisë ekonomike të sipërpërmendur mbi çdo aleancë tjetër».

Paradoksalisht, vendimi i popullit britanik në qershor të 2016 për të dalë nga Bashkimi Europian ka kontribuar duke e thelluar këtë tendencë. Duke folur për rezultatet e referendumit, Lordi Heseltine, ish Ministër i Jashtëm i Madhërisë së Saj, e ka thënë pakashumë qartë: «Ky vend ka luajtur një rol unik në sigurimin e humbjes së Hitlerit.

Gjermania ka humbur luftën. Tani i kemi ofruar në një pjatë të argjendtë rastin më të mirë për të fituar paqen. E gjej të papranueshme».

Me Brexit, Londra nuk do të jetë më e pranishme në brendësi të strukturave europiane për të bilancuar peshën gjeoekonomike dhe më kontinentale të Berlinit. Gjermanisë i bëhet akuza se po kërkon të rindërtojë institucionet dhe politikat e Bashkimit Europian që t’u shërbejnë industrive dhe bizneseve të veta të prirura nga eksporti, me pak skrupuj për impaktin mbi periferitë jugore dhe lindore të Bashkimit.

Pavarësisht nga vlefshmëria e pohimeve të tilla, për shkak të largimit të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermania ndodhet në vendet e komandimit.

Nga një këndvështrim britanik, as një Gjermani më e fuqishme, as dominimi i saj në brendësi të Bashkimit Europian janë domosdoshmërisht burime preokupimi, sidomos nëqoftëse «detet» vazhdojnë të plazmojnë mendimin gjerman, siç kanë bërë qysh nga fundi i viteve ‘40. Siç nënvizon Jeremy Cliffe, kryeredaktor në Berlin i “The Economist”, kjo Gjermani – punëtore, pragmatiste, e hapur – është familjare për shumë britanikë, që e admirojnë sepse e ndjejnë shumë të ngjashme me veten.

Kjo Gjermani do të vazhdonte ta pranonte ekuilibrin euroatlantik, duke ia deleguar çështjet strategjike Mbretërisë së Bashkuar e Shteteve të Bashkuara dhe duke kuptuar sesi është më mirë të qëndrojë një banore e thjeshtë e Europës, pa dashur që t’i marrë përsipër përgjegjësitë. Përkundrazi, derikur angloamerikanët të ruajnë asete strategjike globale, këto të fundit mund të shikojnë deri me favor një fuqizim të lidershipit gjerman.

Sidomos nëse kjo do t’i mundësojë Berlinit që të zbusë kapjen e Rusisë mbi Europën Lindore dhe të rrisë përgjegjësinë fiskale në barkun e rrafshët jugor të Bashkimit Europian. Si presidentët amerikanë Obama e Trump, ashtu edhe kryeministrat britanikë Cameron e May u kanë kërkuar aleatëve të tyre, jo e fundit Gjermania me sufiçitin e saj fiskal, që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje për ta forcuar NATO-n.

Megjithatë, si në shekujt e kaluar, një Gjermani tjetër rrezikon të dalë në skenë: «Gjermania e lumenjve», e përshkruar nga Cliffe si «një tokë romantike me pyje të dendura plot mjegull dhe traumash të errëta të së kaluarës (…) paturpësisht kontinentale, që humbet gjak në vendet kufitare».

Në një rast të tillë, qëndrimi i Londrës ndaj Berlinit ka mundësi që do të ashpërsohet. Lehtësisht kjo Gjermani, më pak detare, shumë më kontinentale dhe shumë më hipokrite dhe prepotente, do të kërkojë ta prishë rendin mbizotërues.

Në mos duke i sfiduar drejtpërsëdrejti marrëveshjet e mëparshme të lokacionit, të paktën duke i injoruar apo duke kooptuar vendet progjermane në strukturat e reja europiane në shërbim të interesave të veta.

Një Gjermani europiane do t’i hapte rrugën një Europë gjermanike, me Berlinën në qendër të një lloj Großraum gjeopolitik, në tentativën dinake për t’u bërë pronar në një hapësirë të re europiane. Një objektiv i ngjashëm sigurisht që do të kërkonte nivele të ndryshme integrimi; në disa aspekte, nuk do të ishte edhe aq ndryshe nga skenari i dëshiruar prej mbështetësve të një Europe me dy (ose më shumë) shpejtësi.

Në masën në të cilën një prej anëtarëve më të mëdhenj e më të fuqishëm të saj po largohet, vlerësimi teleologjik i Bashkimit Europian si një «bashkim gjithnjë e më i ngushtë» – në realitet vetë ideja e një bashkimi real europian – është dëmtuar seriozisht, në mos është copëtuar përfundimisht.

Gjithsesi, Europa nuk është më në kabinën e pilotimit të botës: mbi të gjitha, 2017 nuk është as 1947, as 1957 dhe as 1987. Në atë kohë, preokupimi kryesor i Londrës dhe i Uashingtonit ishte pikërisht Kontinenti i Vjetër, sidomos për frenimin e Rusisë sovjetike në Europën Qendrore.

Atëhere ishte Moska qendra e vetme domethënëse e gravitetit gjeopolitik e pajisur me mjetet për të sfiduar pushtetin e demokracive atlantike. Kurse sot kuadri gjeopolitik është shumë ndryshe: Europa nuk e tërheq më si dikur vëmendjen e amerikanëve. Azia Lindore dhe zona më e gjërë Indo – Paqësore janë tani qendrorë në mendimin strategjik si amerikan, ashtu edhe britanik.

Nëse demokracitë atlantike çimpenjohen nga Europa kontinentale, megjithëse me ritme të ndryshme, rreziku është që «Gjermania e lumenjve» të fitojë avantazhin në Berlin. Ajo teutonike është në shumë aspekte një fuqi kontinentale natyrale: jo vetëm nga pikëpamja gjeofizike, por edhe prej aksesit të kufizuar në det.

Ndërtimi i sistemit euroatlantik pas Luftës së Dytë Botërore e ka lidhur Gjermaninë me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, duke e shtyrë drejt një vokacioni më detar. Ngritja e bazës prodhuese gjermane është futur në këtë tendencë, kjo për arsyen e vetme sepse kërkonte të lidhej me rrugët e komunikacionit në dete për të importuar lëndë të para dhe eksportuar produkte të përfunduara.

Me një influencë anglo – ameirkane të reduktuar, Berlini mund të arrijë në konkluzionin se ka nevojë për një lidership më të madh në bashkimin Europian, duke e shtyrë sërish drejt «lumenjve». Dhe duke e vënë në rrugën e përplasjes me Londrën.

Ajo që shkakton vërtet mosmarrëveshje në kontinent do të ishte tentativa e Gjermanisë – apo dështimi i saj për ta penguar që ta bëjnë të tjerë – që t’i japë Bashkimit Europian një rol më të madh në sektorin e mbrojtjes.

Për Mbretërinë e Bashkuar, një çështje e tillë kërcënon vërtet që të hapë një të çarë në zemrën e rendit kontinental, në masën që do të sillte një theksim më të madhe mbi komponenten europiane respektivisht asaj atlantike. Londra i ka paraqitur rezistencë çdo lëvizjeje të prirur që ta pajisë Bashkimin ushtarak më struktura ushtarake komanduese dhe nuk duket komod ndaj tentativave për t’i dhënë një bazë industriale mbrojtjes europiane.

Përveçse se shikon me dyshim manovrat gjermane që synojnë të ankorojnë forca të amratosura të ndryshme të kontinentit pas Bundeswehr. Njëlloj me Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar i kundërvihet prej kohësh tentativave për ta reduktuar, replikuar apo dyfishuar NATO-n në rolin e saj e ruajtjes së paqes në Europë.

Megjithatë, me të dalë nga Bashkimi Europian, nuk do të jetë më në gjendje t’i pengojë këto zhvillime, të paktën jo me të njëjtin efikaistet. Londrës do t’i duhet të kërkojë mjete të reja për të avancuar interesat e saj.

Është e qartë se qeveria britanike beson se ka në duar letra të mira për ta shmangur reduktimin e orientimit atlantik të sigurisë europiane.

Kohët e fundit është impenjuar për ta rinovuar frikësuesin e saj bërthamor, nëpërmjet blerjes së një gjenerate të re nëndetësesh të pajisur me raketa balistike – të quajtura qëllimisht “Dreadnought”, nga anijet luftarake protagoniste të garës së armatimeve me Rajhun gjerman në fillimet e shekullit të XX-të.

Ka dyfishuar impenjimet e saj në NATO, duke furnizuar numrin më të madh të ushtarëve dhe të pajisjeve ushtarake për ta shkurajuar agresivitetin rus në Europën Lindore dhe duke dislokuar forca tokësore dhe ajrore në Estoni, Poloni e Rumani dhe detare në Detin e Zi e në Detin Balltik.

Ka vazhduar t’ia tërheqë nga vetja Atlantikun Francës, jo vetëm duke i mbështetur riintegrimin në strukturat ushtarake të NATO-s, por edhe nëpërmjet traktateve të Lancaster House, në kuadër të të cilave po bëhet operative një Combined Joint Expeditionary Force.

Ka mbështetur edhe një bashkëpunim më të ngushtë strategjik e ushtarak nëpërmjet të ashtuquajturit North Group, përfshi një forcë të përbashkët ekspedicionare ku marrin pjesë shtetet balltikase. Në rast se Berlini mëshon për një integrim më të madh strategjik në nivel të Bashkimit Europian, pothuajse me siguri Mbretëria e Bashkuar do të kërkojë që të ushtrojë më shumë influencë në aspektet e sapopërmendura për ta penguar axhendën gjermane.

Çdo tentative të Gjermanisë për t’u ngjitur në rangun e pronarit të tokës në Europë do të fillojë pothuajse me siguri që të tërheqë shikimet anglo – amerikane mbi aferat veterokontinentale.

Për ta përfunduar, edhe nëse Bashkimi Europian do të jetë gjithnjë e më shumë i tërhequr në drejtimin e preferuar nga Gjermania, nuk është shkruar se Londra do të ndeshet me Berlinin për trajektoren e arkitekturës gjeopolitike të kontinentit europian. Nuk është akoma e qartë se cila narrativë do të mbizotërojë në Gjermani – ajo e deteve apo ajo e lumenjve; ajo detare apo ajo tokësore.

Nuk është as krejtësisht e qartë se cila narrativë do të mbizotërojë në Mbretërinë e Bashkuar: Brexit ia hap dyert një shteti britanik më të dobët e më provincial, i preokupuar sidomos me rinovimin e brendshëm dhe të pengojë kolapsin kushtetues, të paktën në periudhën afatmesme. Motivet e shpresës nuk mungojnë: ekuilibri aktual i forcës në Europë nuk është edhe aq jo avantazhues për asnjërën nga të dyja palët dhe as për Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, nëse panorama strategjike do të mjegullohet sëriozisht, aksi në mëngë i Mbretërisë së Bashkuar mund të rezultojë Rusia: pavarësisht se marrëdhëniet e sotme midis Londrës dhe Moskës nuk janë në maksimum, nuk është e pamundur – duke parë presionin kinez në lindje dhe atë gjerman në perëndim – që Mbretëria e Bashkuar (dhe Shtetet e Bashkuara) të nisin e ta shikojnë Rusinë si një faktor potencial ekuilibrues. Tashmë topi ndodhet në gjysmëfushën e Gjermanisë.

Berlini duhet të vlerësojë nëse ia vlen barra qiranë të krijojë një grup ekskluziv në brendësi të Bashkimit Europian, sidomos një bërthamë të fortë që të uzurpojë NATO-n dhe të tentojë ta përjashtojë Londrën dhe Uashingtonin nga gjeopolitika europiane. Duhet të vlerësojë nëse ia vlen ta luajë këtë lojë.

(James Rogers është Drejtor i Global Britain Programme në The Henry Jackson Society të Londrës) /Bota.al