Benzemas i ofrohet kontratë e re nga Real Madrid

Benzemas i ofrohet kontratë e re nga Real Madrid

Reali i Madridit duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e francezit Karim Benzema. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja AS, klubi “merengues” do t’i ofrojë sulmuesit rinovimin e kontratës që skadon në verën e vitit 2019.

Gjithnjë sipas AS, ideja te drejtuesit e Realit të Madridit është zgjatja e kësaj kontrate deri në vitin 2021 ose 2022 si për t’i treguar besimin që ka Zidane tek ai. Reali i Madridit kërkon të mbyllë përfundimisht këtë çështje në përfundim të  sezonit, duke përfituar nga fakti që këtë vit nuk ka as Evropian e as Botëror në kalendar.

Për Benzema, ky do të jetë rinovimi i dytë i kontratës me Realin e Madridit që nga momenti kur ai u transferua te kjo skuadër në vitin 2009. Herën e parë, Benzema rinovoi me “Los Blancos” në vitin 2014, duke përfituar edhe një rritje të pagës nga 5 milionë në 8 milionë euro në sezon. AS thekson gjithashtu se edhe ky rinovim i dytë i kontratës së Benzema do të shoqërohet me një rritje të pagës së tij.

Dhe e gjithë kjo vjen në një moment kur Benzema po shfaqet me një rendiment më të ulët në krahasim me sezonin e kaluar. Këtë vit, francezi ka shënuar 12 gola në 1756 minuta të luajtura, ndërkohë që në 2015/2016 ai shënoi 28 gola në 2597 minuta. Fakti më pozitiv për Benzema është se ai tashmë është në kuotën e 173 golave me fanelën e Realit, golashënuesi i 8 më i mirë në historinë e klubit madrilen.