Belotti, mbreti i Serisë A sfidon Messin për Këpucën e Artë

Belotti, mbreti i Serisë A sfidon Messin për Këpucën e Artë

Deri para disa javësh dukej se lufta për golashënuesin më të mirë të Serie A do të zhvillohej mes Dzeko dhe Higuain, me këtë të fundit që ka qenë më i miri në kampionatin italian sezonin e kaluar.

Por në dy ndeshjet e fundit, “Gjeli” Belotti ka realizuar pesë gola dhe ka parakaluar dy qendërsulmuesit e Roma-s dhe Juventusit.

Sulmuesi i Torino-s ëndërron ta fitojë këtë titull të rëndësishëm, por është në garë për një çmim akoma më prestigjioz, si Këpuca e Artë. Në këtë moment, më mirë se ai në Europë ka bërë vetëm Messi.

Me tregolëshin e realizuar kundër Palermo-s, Belotti është ngjitur në kuotën e 22 golave në kampionat, të realizuar në 24 ndeshje. Bëhet fjalë për një mesatare të jashtëzakonshme dhe mund të kishte qenë akoma e mirë, nëse 23-vjeçari bergamask nuk do të kishte gabuar dy penallti.

Por e kaluara është lënë mbas krahëve dhe “Gjeli” i ka sytë te skeptri i golashënuesit më të mirë të kampionatit.

Avantazhi ndaj Dzeko dhe Higuain (19 secili), Mertens (18) dhe Icardi (17) është i rëndësishëm, por për të mposhtur kundërshtarë të këtij niveli duhet vazhduar në këtë rrugë.Por, siç thamë, “Gjeli” po sfidon Leo Messin për Këpucën e Artë.

Numri 10 i Barcelona-s ka realizuar vetëm një gol më shumë dhe ka një avantazh prej dy pikësh.

Në fakt, golat e realizuara në pesë kampionatet kryesore, që kryesojnë këtë renditje shumëzohen për dy (koeficienti i vështirësisë), ndërsa ato të realizuar në kampionatet e tjera shumëzohen për 1. Për këtë arsye “Matador” Cavani, i cili ka shënuar më shumë se të gjithë, ndodhet mbrapa Belotti-t dhe “Pleshtit”.

Renditja e Këpucës së Artë 2017:

46: Lionel Messi (Barcelona, 23 gol x 2)

44: Andrea Belotti (Torino, 22 gol x 2)

42: Aubameyang (Borussia Dortmund 21 gol x 2)

40,5: Edinson Cavani (PSG, 27 gol x 1,5)

38: Gonzalo Higuain (Juventus, 19 gol x 2)

38: Edin Dzeko (Roma, 19 gol x 2)

38: Robert Lewandowski (Bayern Munich, 19 gol x 2)

38: Luis Suarez (Barcellona, 19 gol x 2)

38: Harry Kane (Tottenham, 19 gol x 2)

36: Cristiano Ronaldo (Real Madrid, 18 gol x 2)

36: Dries Mertens (Napoli, 18 gol x 2)