Belgjikë: Prokurorët kanë hapur hetim “terrori” pas sulmit me thikë

Belgjikë: Prokurorët kanë hapur hetim “terrori” pas sulmit me thikë

Prokurorët e Belgjikës e kanë hapur një hetim për “përpjekje terroriste për vrasje”, pasi një person i sulmoi dy ushtarë me thikë në Bruksel.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Belgjikës tha sot se i dyshuari 30 vjeçar, mbrëmë ishte qëlluar dy herë nga policia dhe ishte dërguar në spital në gjendje kritike shëndetësore.

Më vonë ai vdiq në spital nga plagët e pësuara.

Zyra e prokurorit tha se i dyshuari ishte shtetas i Belgjikës me origjinë nga Somalia.

Autoritetet e kanë bastisur banesën e tij gjatë natës në qytetin Bruzh, 100 kilometra në veriperëndim të Brukselit, por nuk kanë paraqitur më tepër detaje.

Prej marsit të vitit të kaluar, Belgjika është në gjendje të gatishmërisë së lartë, pasi në aeroport dhe në metron e Brukselit ishin vrarë 32 vetë.