Belgjika sot përkujton viktimat e sulmeve terroriste

22.03.2017 12:23
Belgjika sot përkujton viktimat e sulmeve terroriste

Në Belgjikë sot me një moment të heshtjes janë përkujtuar viktimat dhe është shënuar njëvjetori i dy sulmeve terroriste nga të cilat janë vrarë 32 vetë.

Në këtë ceremoni të përkujtimit në aeroportin Zaventem në Bruksel, të pranishëm ishin Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, së bashku me kryeministrin, Charles Michel, dhe qindra pjesëmarrës të tjerë.

Para një viti, në këtë aeroport dy sulmues vetëvrasës i vranë 16 vetë në një terminal përplot me njerëz.

“22 marsi përgjithmonë do të mbetet në zemrat tona… ne qëndrojmë këtu të bashkuar”, tha një zyrtar i aeroportit, pasi i lexoi emrat e tarye që u vranë nga këto sulme.

Pastaj, Mbreti dhe Mbretëresha udhëtuan me tren në stacionin e metros Maelbeek, në qendër të Brukselit, për tu bashkuar me një grup tjetër që i përkujtonte viktimat e sulmit të dytë vetëvrasës në një tren, po të njejtën ditë, me ç’rast u vranë 16 vetë të tjerë.

Në këto sulme ishin plagosur më se 320 persona.

Hetuesit e Belgjikës thanë se këto sulme ishin kryer nga Shteti Islamik, nëpërmjet rrjetit që kishte dorë në sulmet në Paris, në nëntor të vitit 2015, nga të cilat u vranë 130 vetë.