Bekim Fehmiu në pullën postare të Serbisë

Bekim Fehmiu në pullën postare të Serbisë

Dje në teatrin “Atelje 212” të Beogradit, u organizua ceremonia e prezantimit të tetë pullave të reja postare me portretet e yjeve teatrore “serbe dhe jugosllave”, siç transmeton portali serb, “Blic”.

Botimi i këtyre pullave postare u realizua nga “Posta Serbije”. Gjatë këtij përurimi, për aktorin Bekim Fehmiu foli aktorja serbe Ljiljana Dragutinovic e cila ndër të tjera tha: “Bekim Fehmiu është njëri nga simbolet e filmit, i shpërblyer në vend dhe në botën e jashtme, i cili u veçua veçanërisht në filmin jugosllav të regjisorit Aleksander Sasa Petrovic, “Mbledhësit e puplave”.

Ajo përmendi edhe librin e tij autobiografik “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” ku Bekimi shkruan për fëmijërinë e kaluar në Sarajevë, Shkodër dhe Prizren në vitet e paraluftës se Dyte Botërorë, deri në vitin 1954.

“Bekimin e ndjeja si vëllain tim, familja e tij i gjasonte familjes sime, nëna e tij ishte nëna ime. Mes nesh kishte afri vëllazërore dhe respekt të ndërsjellë.

Bekimin e doja dhe e respektoja për talentin e tij të madh, për zemrën dhe fisnikërinë e tij të madhe”, tha aktorja Ljiljana Dragutinovic.

Kjo është hera e dytë që aktori i famshëm bëhet pjesë e pullave postare, pasi në dhjetor të vitit 2013 Posta e Kosovës e kishte përfshirë në emisionin e jashtëzakonshëm në kuadër të tematikës “Kinematografia Botërore”.