Behrami për “The Guardian”: Më janë vrarë dy familjarë në luftë

“Disa vite më vonë lufta filloi të bëhet shumë më e keqe. Ishte frustruese sepse ishim në një vend të mirë, një vend të sigurt, por pjesa tjetër e familjes sime ishin lënë mbrapa. Xhaxhai dhe kushëriu im u vranë."

Behrami për “The Guardian”: Më janë vrarë dy familjarë në luftë

Valon Behrami ishte vetëm katër vjeç kur u largua nga Kosova së bashku me familjen e tij. Futbollisti i lindur në Mitrovicë, la të tjerë familjarë në Kosovë.

Në një intervistë me gazetën e njohur britanike The Guardian, Behrami zbulon se dy anëtarë të familjes së tij, xhaxhai dhe kusheriri i tij vdiqën gjatë luftës në Kosovë. E futbollisti kosovar nuk e ndaloi ëndrrën e tij, pavarësisht këtyre ngjarjeve. Ai arriti që të bënte karrierë të madhe në futboll.

I paraqitur në dy Kampionate Botërore me kombëtaren e Zvicrës, Behrami tregon për The Guardian se jeta e tij është e ndarë në mes të dy pjesve: Kosovës dhe Zvicrës.

“Unë kam një tatuazh me flamurin e Kosovës, të cilin e kam bërë kur Kosova është shpallur si shtet i pavarur”, thotë Behrami, teksa tregon tatuazhin me flamurin e Kosovës që mban në krahëror, raporton Insajderi.

Futbollisti 31-vjeçar i Watford Cityt thotë se jeta në Kosovë ishte e rrezikshme për shkak të rrethanave politike. Ai thotë se në Kosovë nuk kishte të ardhme.

“Kam lindur në Mitrovicë, qytet i Kosovës. Kam qëndruar atje deri në moshën katër vjeçare. Një ditë babai im e kuptoi që nuk ka të ardhme atje dhe filloi të ishte pak e rrezikshme atje dhe ne vendosëm të shkonim diku tjetër. Duhet të jesh i guximshëm të lëvizësh familjen nga zona e komfortit”, shprehet futbollisti kosovar. “Disa vite më vonë lufta filloi të bëhet shumë më e keqe. Ishte frustruese sepse ishim në një vend të mirë, një vend të sigurt, por pjesa tjetër e familjes sime ishin lënë mbrapa. Xhaxhai dhe kushëriu im u vranë.”

Behrami thotë se Zvicrës i detyrohet shumë.

“Është shumë mirë t’i kthesh diçka mbrapa Zvicrës. Është një vend i cili më ka dhënë mundësinë të jem këtu ku jam. Dua të jap njëqind për qind për një vend i cili më ka dhënë gjithçka”, ka thënë ai. /Insajderi.com