Behgjet Pacolli arsyeton udhëtimin e tij në Bruksel me 5 burrat e tjerë

Behgjet Pacolli arsyeton udhëtimin e tij në Bruksel me 5 burrat e tjerë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk kanë mjaftuar të vetëm në përfaqësimin e Kosovës në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini. Ata në takim morën edhe tre zv/kryeministrat, Fatmir Limajn, Dardan Gashin dhe Behgjet Pacolli, raporton Insajderi.

Përderisa Dardan Gashi kishte shkuar në rolin e zv/kryeministrit në këtë takim, Pacolli duket se në këtë takim u bashkua falë pozitës së tij si Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj ka arsyetuar udhëtimin e shefit të tij në Bruksel. Ka thënë se Pacolli ka udhëtuar si ministër i Jashtëm, madje sipas tij prezenca e Pacollit duhet të jetë në secilën vizitë të liderëve shtetërorë.

“z.Pacolli është ministër i jashtëm i Kosovës dhe besoj që nënkuptohet prezenca e ministrit te jashtëm në vizitat e secilit lider shtetëror jashtë vendit”, ka thënë Zyberaj në një përgjigje për Insajderin.

Ndërkaq, delegacionin prej gjashtë burrave nga Kosova nga zyra e kryeministrit e arsyetojnë se një takim i ngjashëm ishte dakorduar më herët me përfaqësuesen e BE-së Mogherini. Sipas një përgjigje për Insadjerin nga Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeverinë Haradinaj, kjo vizitë me një delegacion të tillë është bërë për shkak të konfirmohej uniteti i Kosovës në dialogun me Serbinë para Mogherinit.

“Pas një takimi të përbashkët me udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, janë dakorduar që të mërkurën, më 18 korrik, ta takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini në Bruksel”.

“Ky dakordim është bërë me qellim që t’i konfirmohet zonjës Mogherini dhe Bashkimit Evropian përkushtimi i Institucioneve të Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë dhe, poashtu, angazhimin për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria e Kosovës.