Begolli: Telekomi i Kosovës ka filluar të rimëkëmbet

Begolli: Telekomi i Kosovës ka filluar të rimëkëmbet

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli është shprehur i bindur se ndërmarrja e madhe publike do të rimëkëmbet gjatë udhëheqjes së tij.

I ftuar në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, Begolli ka folur për problemet me të cilat është ballafaquar Telekomi i Kosovës, teksa ka thënë se problemet financiare kanë filluar të mënjanohen dhe se ndërmarrja ka filluar ta marrë veten.

“Telekomi ka filluar të rimekëmbet dhe nuk është në gjendjen që ka qenë së fundmi. Besoj shumë se me ndihmën e bashkëpunëtorve do të kthehet nami i Telekomit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Begolli ka deklaruar se me implementimin e kodit +383, Telekomi do të fitojë të hyra të rëndësishme për funksionimin e ndërmarrjes.

“E vërteta është se shumë më herët është dashur që të bëhet kjo punë [implementimi i kodit, v.j]. Njëkohësisht e kemi edhe Ligjin e Përgjimeve, dhe rëndësia e kodit +383 është sepse pas implementimit të kodit, Telekomi do të ketë të hyra të mira”, ka thënë Begolli. /Insajderi.com