Begaj sfidohet nga Murseli

Begaj sfidohet nga Murseli

Ragip Begaj i NISMA-s dhe Mursel Gashi i PDK-së përballen në garën e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Malishevës. Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 22 tetor, Begaj bazuar në rezultatet e KQZ-së ka marrë 9 mijë e 015 vota ose 40.74 për qind, derisa Gashi pati marrë 6 mijë e 116 vota ose 27.64 për qind. Kandidati i NISMA-s kërkon përtëritjen e mandatit pas qeverisjes katërvjeçare në këtë komunë, përderisa ai i PDK-së kërkon mandatin e parë në krye të Ekzekutivit lokal.

Begaj i NISMA-s ka deklaruar se për raundin e dytë zgjedhor nuk ka lidhur koalicion me subjektet e tjera politike. Ditë më parë, dega e PDK-së ka nënshkruar marrëveshje bashkëqeverisjeje me degën e AKR-së. Ngjashëm si Begaj, edhe Gashi i PDK-së ka pohuar se koalicioni i tij kryesor është ai me qytetarët e kësaj ane, shkruan sot Koha Ditore.

Kandidati i PDK-së ka akuzuar rivalin e tij politik nga NISMA për padrejtësi dhe keqpërdorime të mëdha gjatë qeverisjes së kaluar katërvjeçare, e veçmas për largimin e pabazë të punonjësve të arsimit, gjë që sipas tij i kanë kushtuar buxhetit komunal për shkak se të njëjtit janë kthyer në punë me vendime të gjyqësorit. Sipas Gashit, në Malishevë gjatë qeverisjes së Begajt ka pasur edhe punësime të paligjshme. Por Begaj i ka hedhur poshtë të gjitha këto pretendime, duke shtuar se nuk ka pasur punësime të paligjshme e as përjashtime nga puna të punëtorëve arsimorë. Madje kandidati i NISMA-s ka theksuar se ka merita për zbutjen e tensioneve politike në Malishevë, dhe se tani njerëzit nuk kanë frikë për bindjet e tyre politike. Në të njëjtën kohë, ka akuzuar Gashin që ka orë të ndaluar për ndjekjen e trendit të qeverisjes në Malishevë.

Begaj ka premtuar ndërtimin e katër shkollave në Komunën e Malishevës dhe të një çerdheje publike. Është zotuar për ndërtim të fushave sportive në të gjitha shkollat e kësaj komune. Po ashtu, edhe asfaltimin e të gjitha rrugëve publike, ndërtimin e 130 kilometrave kanalizim dhe 35 kilometra trotuare. Bujqësia, sipas tij, në katër vjetët e ardhshëm do të ketë një buxhet prej 5 milionë eurosh. Ka premtuar përfundimin e ndërtimit të stadiumit brenda pak kohësh në Malishevë, përkrahje për rininë, kulturën dhe sportin sikurse edhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, pastaj ndërtimin e 20 shtëpive për skamnorët dhe mbështetje të kategorive në nevojë me barna dhe kërkesa të tjera. Në mandatin e ardhshëm, sipas tij, do të ketë programe të veçanta përkrahëse për bizneset që hapin vende pune.

Ndërsa Gashi ka bërë të ditur se programi i tij parasheh zhvillim ekonomik, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, rini, kulturë dhe sport, si dhe mbrojtjen e ambientit dhe turizmin. Në ekonomi ka premtuar Park të Biznesit dhe Zyrë ekonomike, pastaj grante në bujqësi dhe përkrahje për bizneset. Në infrastrukturë është zotuar se do të përfundojnë të gjitha kanalizimet në qendër, dhe në të gjitha fshatrat, me impiante standarde. Ujësjellësin ka premtuar ta sjellë në të gjitha fshatrat. Infrastruktura rrugore, sipas tij, do të ndërtohet sipas standardeve dhe jo vetëm për militantët partiakë. Në arsim është zotuar për depolitizim, kthimin e dinjitetit të mësuesit, përfundimin e infrastrukturës shkollore, ngritjen e cilësisë, shujta për nxënësit, lehtësi për transport dhe bursa. Është zotuar edhe për ndërtimin e qendrës së emergjencës dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, etj.