Bedri Hamza e rehaton ish-ministrin e LDK-së në pozitën e drejtorit

Bedri Hamza e rehaton ish-ministrin e LDK-së në pozitën e drejtorit

Ish-Ministri i Financave nga LDK-ja, Agim Krasniqi e ka vazhduar punën në Ministrinë që e ka udhëhequr shkurt. Është emëruar në pozitën e Drejtorit në Departamentin për Ndihmë Shtetërore. Në një bisedë për Express, Krasniqi ka thënë se është rikthyer në Ministri pasi e ka pasur pozitën e ngrirë.

Agim Krasniqi ishte emëruar Zëvendës i Avdullah Hotit në Ministrinë e Financave, në fund të muajit janar të vitit 2015. Para se të emërohej në pozitën e dytë në Ministrinë e Financave, Krasniqi kishte mbajtur pozitën e Drejtorit në Departamentin e Buxhetit.

Ishte emëruar edhe në pozitën e Ministrit pasi Avdullah Hoti ishte bërë deputet dhe përkohësisht Isa Mustafa, më 7 gusht, e kishte bërë udhëheqës të Ministrisë së Financave. Kishte mbajtur këtë pozitë vetëm një muaj e tre ditë, kur më 11 shtator ia kishte dorëzuar Ministrinë e Hamzes, shefit të tij aktual.

Edhe Agim Krasniqi kishte garuar për t’u bërë deputet i LDK’së, por kishte dështuar pasi në zgjedhje e kishin votuar vetëm 2358 kosovarë.

53 vjeçari nga Makovci i Prishtinës është rikthyer përsëri në Ministrinë e Financave. Tash, si Drejtor në Departamentin për Ndihmë Shtetërore.

Në një bisedë për Express, Krasniqi ka thënë se e ka pasur pozitën e ngrirë në Ministri dhe është rikthyer në pozitën e Drejtorit.

“Pse s’kam mbet Drejtor në Buxhet për arsye se është zënë vendi nga dikush tjetër. Jam emëruar Drejtor i Departamentit për Ndihmë Shtetërore. Aty e kam pas vendin e ngirë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Agim Krasniqi, kur kishte dështuar të bëhej deputet, kishte shkruar një reagim në FB. Kishte thënë se Shteti do t’i ketë punët keq derisa qytetarët vazhdojnë t’i vlerësojnë me votë kriminelët dhe ata që keqpërdorin pozitat.

“Keto dite po shohim e po degjojm lloj lloj fyerjesh dhe sharjes nga disa deputet te legjislatures se re te Kuvendit te Republikes se Kosoves. Nuk po kuptoj pse po çuditemi. Ne i zgjedhem si shoqeri te tillet, askush nuk i zgjodhi per ne. Vetem ne Kosoven tone te dashur edhe kur njihen kriminelet dhe keqeperdorusit i vlersojme dhe ju japim shanse jo nje here, por disa here. Ata qe kane vlera e ndershmeri, nuk kane para te pista e nuk keqperdorin pozitat e tyre i konsiderojme te pa vlere. Deri sa te jete keshtu ky vend punet do ti kete keq e me keq per çdo dite”, kishte shkruar Krasniqi.