BE nuk tregon se kur bëhet vlerësimi për liberalizim të vizave

BE nuk tregon se kur bëhet vlerësimi për liberalizim të vizave

 

Komisioni Evropian ende nuk mund të deklarojë se kur do të bëhet verifikimi i përparimit që është bërë në përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, një ekip ekspertësh i Bashkimit Evropian është në kontakt me autoritetet në Prishtinë lidhur me këtë proces, dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të vijnë edhe në Kosovë për të sqaruar çështje teknike.

Këtë e ka konfirmuar edhe Tove Ernst, zëdhënëse për Migrim, Çështje të Brendshme, dhe Shtetësi në Komisionin Evropian.

“Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Prishtinë.  Ata më pas do të  japin udhëzime për hapat e mbetur, duke përfshirë edhe mundësinë që nëse është e nevojshme të ketë edhe një vizite për çështjet teknike”, ka thënë ajo.

Ajo nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë kjo vizitë.

“Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Prishtinë, për shqyrtimin e progresit të Kosovës në përmbushjen e standardeve të mbetura dhe duke diskutuar hapat e ardhshëm të mundshëm”, thotë Ernst për lajmi.net.

Gazeta Insajderi ka raportuar ditë më parë se Vizita e Komisionarit evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos, e planifikuar të ndodhë në janar të këtij viti, po vazhdon të shtyhet.

Për vizitën që sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme do të bëhej për të konstatuar bashkërisht me institucionet kosovare progresin për liberalizimin e vizave,  nuk jep ndonjë informacion as Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Sa i përket kësaj vizite, ne nuk mund të konfirmojmë ende asnjë datë,” ka qenë përgjigja e shkurtë nga kjo zyre./Insajderi