BE: Marrëveshja ruso-turke për Idlibin duhet t’i mbrojë civilët

Vendosjen e zonës së demilitarizuar e kanë përshëndetur autoritetet siriane dhe iraniane, BE kërkon që të mbrohen civilët dhe infrastruktura.

BE: Marrëveshja ruso-turke për Idlibin duhet t’i mbrojë civilët

Marrëveshja ruso-turke mbi provincën siriane Idlib duhet t’i mbrojë civilët dhe të mundësoj qasje për ndihma, ka kumtuar Bashkimi Evropian, një ditë pasi presidenti turk dhe ai rus u morën vesh për vendosjen e zonës së demilitarizuar në atë provincë.

“Presim që marrëveshja të cilën dje e arritën presidenti rus dhe ai turk do të garantojë mbrojtjen e jetëve të civilëve dhe të infrastrukturës si dhe qasje të papenguar dhe të qëndrueshme humanitare”, ka thënë për medie zëdhënësja e BE, transmeton Reuters.

Marrëveshjen për zonën e demilitarizuar e kanë përshëndetur autoritetet siriane dhe ato iraniane.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan kanë kumtuar dje në Soçi se janë marrë vesh për ta vendosur një zonë të demilitarizuar në provincën siriane Idlib, përgjatë vijës së kontaktit të forcave kryengritëse dhe të atyre qeveritare.

Idlib është bastion i fundit i kryengritësve në Siri ku forcat e kryetarit Bashar al-Assad më herët kanë paralajmëruar ofensivë për ta marrë atë rajon.

Pas bisedës me Erdoganin, Putin ka thënë në konferencë të përbashkët për gazetarë se kjo zonë, e gjerësisë prej 15 deri 20 kilometra, do të vendoset deri më 15 tetor, dhe se aty do të patrullojnë njësitet mobile të forcave ruse dhe turke, transmeton Reuters.

Gjithashtu ka theksuar se nga ajo zonë do të detyrohen të tërhiqen kryengritësit e frontit Nustra.

Sipas fjalëve të tij, qeveria siriane po e përkrahë këtë vendim./Insajderi.com.