BE-ja bllokon nismën e rrezikshme të Pacollit

BE-ja bllokon nismën e rrezikshme të Pacollit

Bashkimi Evropian ka bllokuar një nismë të rrezikshme të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar heqjen e vizave në Kosovë, për vendet si Nigeria, Angola, Egjipti, Ekuadori, Filipinet, Gabonin, Ganën, për disa nga Guineat, Mozambikun Republikën e Maldovës, Ruandën, Senegalin, Tanzaninë, Tunisin, Ugandën dhe Kongon.

Në këtë listë është futur edhe heqja e vizave me Kinën, Madakaskarin, Gjeorgjinë, Tailandën, e Ukrainën.

Gazeta Online Insajderi ka zbuluar se ky dikaster qeveritar nën drejtimin e Pacolit ka dërguar një shkresë në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë ku i kërkon mendimin për iniciativën për t’i hequr këtyre shteteve.

Për këtë iniciativë këtë vit MPJ-ja nën drejtimin e Pacollit i kishte shkruar Zyrës së BE-së në Kosovë për këtë listë të vendeve me të cilat Kosova dëshiron ta zgjerojë listën e vendeve që mund të udhëtojnë në drejtim të Kosovës pa viza për qëndrim 90-ditor. Zyrës së BE-së iu tha edhe që për këtë listë as Ministria e Punëve të Brendshëm e as agjencitë tjera nuk shohin ndonjë rrezik.

Zyra e BE-së, siç merr vesh, Insajderi nuk i ka kthyer direkt përgjigje MPJ-së, por një përgjigje kjo ministri e ka marrë përmes Ambasadës së Kosovës në Bruksel. Në një komunikim të brendshëm të kësaj ambasade me MPJ-në në Prishtinë u thuhet prerazi që MPJ-ja nuk duhet të ndërmarr ndonjë veprim sa i përket listës së vendeve që u kërkohet vizë për të hyrë në Kosovë.

Të pyetur nga Insajderi në Zyrën e BE-së në Prishtinë nuk janë përgjigjur nëse ata kanë komunikuar tutje me MPJ-në për këtë listë, por është e prerë dhe thotë se Kosova nuk është në harmoni me BE-në sa i përket listës së vendeve me të cilat aplikon viza dhe liberalizim vizash.

“Bazuar në raportin më të fundit të Kosovës të prillit 2018, Kosova ende nuk e ka harmonizuar legjislacionin e saj me listën e vendeve të BE-së, qytetarëve të të cilëve u kërkohet të kenë vizë dhe atyre të përjashtuar nga detyrimi për vizë kur udhëtojnë në BE”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për Insajderin.

Kjo zyrë  e BE-së në Prishtinë për Insajderin thotë që “BE pret që të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë të harmonizojnë legjislacionin e tyre me listat e vendeve të BE-së, shtetasve të të cilëve u kërkohet të kenë vizë dhe atyre të përjashtuar nga detyrimi për vizë kur udhëtojnë në zonën Shengen, më së voni deri në kohën e anëtarësimit”.

Po ashtu, Insajderi, ka raportuar edhe për lidhjet biznesore të Behgjet Pacollit, me disa nga vendet për të cilat ai ka kërkuar heqjen e vizave.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu:

 

Behgjet Pacolli rrezikon liberalizmin e vizave për Kosovën