Bastiset shtëpia e Dardan Molliqajt në Beleg të Deçanit

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se sot në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Sekretarit Organizativ të saj, Dardan Molliqaj, në Beleg të Deçanit.

Bastiset shtëpia e Dardan Molliqajt në Beleg të Deçanit

Këtë aksion Vetëvensosje e ka quajtur si “hakmarrje e krerëve kriminelë të Policisë, pas një serie konferencash publike të Molliqaj ku u kritikua Policia e Kosovës për montime politike kundër aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe për kapje nga klani printo”.

“Urdhri i dhënë nga lartë për këtë bastisje, e rikonfirmon faktin që Policia e Kosovës është shndërruar në institucion të mbrojtjes së krimit të klanit pronto dhe luftues të kundërshtarëve politikë të këtij klani. Ky lloj instrumentalizimi i policisë dhe shndërrimi i kësaj të fundit në njësi paramilitare në funksion të disa individëve në pushtet, është shenjë e qartë e autoritarizmit që po instalohet në Kosovë. Shembuj të tillë po na kthejnë në vitet e paraluftës kur funksioni i policisë nuk ishte siguria e qytetarëve por shtypja e tyre. Klani pronto, përmes Policisë së Kosovës, po terrorizon familjet e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe po synon të përhapë panikë në popull, në një moment kur zemërimi qytetar me këtë qeverisje është më i madh se asnjëherë më parë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të pranojë asnjëherë të zmbrapset para këtyre akteve paramilitare të krerëve të Policisë së Kosovës. Këto akte na e rikonfirmojnë se lufta kundër krimit e korrupsionit në Kosovë do të mund të bëhet vetëm përmes rezistencës qytetare dhe asnjëherë përmes këtij sistemi të kapur të drejtësisë. Ne ftojmë pjestarët e Policisë së Kosovës që të distancohen nga udhëheqja kriminale e këtij institucioni, dhe të angazhohen në mbrojtje të popullit, e jo kundër tij”, përfundon reagimi./Insajderi.com