Bastioni i fundit i ISIS -it zhvendoset në shkretëtirë

12.03.2017 19:52
Bastioni i fundit i ISIS -it zhvendoset në shkretëtirë

Teksa forcat irakene të sigurisë u futën edhe më thellë në Mosulin perëndimor, zyrtarë amerikanë dhe irakenë deklaruan se udhëheqësi i grupit, Abu Bakr Al Bagdadi kishte ikur nga qyteti dhe tani fshihet në shkretëtirë.

Ndërkohë që vendndodhja e saktë e Kalifit të vetëshpallur nuk dihet, zyrtarët thanë për Reuters se besojnë që ekstremisti kish gjetur strehim mes civilëve që e mbështesin në fshatrat e shkretëtirës.

Trupat e mbështetura nga SHBA morën Mosulin lindor në janar dhe këtë javë morën kontrollin edhe të ndërtesave kryesore qeveritare në pjesën perëndimore të qytetit.

Gjenerali iraken Najim al Jabouri vlerëson se vetëm 900 militantë kanë mbetur në Mosul, bastioni i fundit i ISIS në vend. Sidoqoftë, përparimi i forcave qeveritare nuk ka ardhur pa kosto njerëzore: afro 60 mijë vetë janë larguar nga qyteti në javët e fundit. /bota.al