Bashota përballë Elezajt në Klinë

Bashota përballë Elezajt në Klinë

Prej dhjetë vjetësh, Komuna e Klinës drejtohet nga Sokol Bashota. Ai sërish është kandidat për një mandat katër vjeçar. Por, subjektet opozitare janë bërë bashkë për t`i dhënë fund qeverisjes Bashota, duke mbështetur kandidatin Zenun Elezaj nga AAK-ja, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës në balotazh, Zenun Elezaj, ka afruar rreth vetës LDK-në, LVV-në dhe Nismën, me marrëveshjet zyrtare të nënshkruara javën e kaluar, kur edhe janë shprehur njëzëri se këto marrëveshje, sipas tyre, janë bërë në frymën e nevojës së ndryshimit të domosdoshëm për qytetarët e Klinës.

“Ky nuk është një koalicion vetëm i opozitës dhe vetëm për opozitën, por alternativa më progresive për qytetarët e Klinës, pa dallim”, është shprehur Elezaj, pas marrëveshjeve të nënshkruara me këto tri subjekte, të cilat janë dakorduar për funksionalizimin e një shtabi të përbashkët zgjedhor.

Elezaj, i cili në këto zgjedhje për herë të parë i është futur garës për kryetar komune, tregon për KD-në se qëllimi i grupit opozitar është që ta heqin nga posti i kryetarit të Komunës, Sokol Bashotën.

Blloku opozitar për balotazhin është krijuar edhe duke kalkuluar numrin e votave të fituara më 22 tetor të kolegëve të tij nga 3 subjektet e tjera. Elezaj vetë në zgjedhjet e 22 tetorit pati marrë 4 mijë e 594 vota. Besim Hoti i LDK-së 4 mijë e 211, Ibër Elezaj i LVV-së 1 mijë e 306 vota dhe Nezir Gashi i Nismës 763 vota.

Me këto 10 mijë vota të mundshme ai synon ta sfidojë Bashotën, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit kishte fituar 6 mijë e 816 vota. Mirëpo, nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara në balotazh, përqindja e daljes së qytetarëve në votime ka qenë gjithnjë më e ulët se në zgjedhjet e para. Këtë fakt e ka të njohur Elezaj, por megjithatë ai si bazë të krijimit të koalicionit ka marrë këto të dhëna.

“Normale që ne do të nisemi nga ato të dhëna, sepse është një premisë e mirë dhe që merret për bazë, por edhe krejtësisht nuk jemi duke mbështetur në ata numra të votave. Prandaj edhe jemi duke u angazhuar të gjithë. Prej sot (e hënë) kemi agjendë të përbashkët me subjektet në koalicion dhe gjatë ditëve të fushatës këtë javë çdo njëra parti e ka marrë për obligim për t’i mobilizuar votuesit e saj”, shprehet i bindur Elezaj se do të fitojë në balotazh.

Kjo bindje e Elezajt e mbështetur në bllokun e madh opozitar, duket se nuk po e tremb shumë kundërkandidatin, Sokol Bashota, që në balotazh i ka krah vetes AKR-në dhe PSHDK-në, të cilat do të mbështesin atë më 19 nëntor. Mirëpo, me 363 votat sa ka fituar më 22 tetor kandidati AKR-së për kryetar të kësaj komune, Avni Gashi dhe 430 votat e PSHDK-së sa ka fituar si subjekt në këto zgjedhje, janë goxha larg 10 mijë votave të opozitës së bashkuar. Për Bashotën këta numra janë vetëm kalkulime, ngase, siç thotë ai për KD-në, edhe në zgjedhjet e kaluara është sfiduar nga opozita në Klinë dhe ka fituar.

“Zakonisht edhe në zgjedhjet e kaluara opozita ka qenë e bashkuar, por nuk kanë arritur kurrë të fitonin, sepse diferenca ka qenë shumë e madhe ne vota. Kështu do të jetë edhe të dielën në balotazh”, shprehet i sigurt Bashota se edhe këtë herë do të dalë fitues përballë bllokut opozitar. Megjithëse të dy kandidatët kanë krijuar koalicione për balotazhin, programet e tyre qeverisëse nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim përmbajtjesor.

Programi qeverisës i Bashotës ka mbetur 90 për qind i njëjti me prioritet që i ka për përmirësimin e kushteve në arsim dhe shëndetësi, ndërtimin e rrjeteve të kanalizimit, ujësjellësit dhe ujitjes, asfaltim të rrugëve nëpër lagjet e fshatrave, ndriçim publik, ndërtimin e një shtëpie për persona të moshuar, ndërtimin e sistemit për trajtimin e ujërave të zeza dhe subvencionet në bujqësi.

Derisa programi i kandidatit të AAK-së ka mbetur i njëjti që është shpalosur edhe gjatë fushatës dhe parimisht është i përkrahur edhe nga subjektet në koalicion dhe mbetet program edhe për fushatën e balotazhit. Kurse inkorporimi i programeve të subjekteve në koalicion është lënë të bëhet gjatë fazës së qeverisjes, nëse dalin fitues të dielën.

Në programin e tij Elezaj ka prioritet ujin e pijshëm për të gjithë qytetarët e kësaj komune, shfrytëzimin e resurseve minerale, ndarje të fondeve për bujqësi, ndërtimi i infrastrukturës rrugore, në mesin e të cilave projekti kryesor që ai premton se do ta realizojë brenda katër vjetëve të mandatit është ndërtimi i rrugës transitore prej rrugës magjistrales Pejë – Prishtinë, deri në anën tjetër mbi zonën industriale të Klinës, ku kjo transitore do të lidhet me rrugët për në Istog dhe Skenderaj.