Bashkësia Islame ndryshon qëndrim ndaj Shefqet Krasniqit

Bashkësia Islame ndryshon qëndrim ndaj Shefqet Krasniqit

Gjatë fazës së hetimeve ndaj ish-imamit Shefqet Krasniqi Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e kishte ndihmuar prokurorin special, Elez Blakaj, duke konstatuar se së paku dy nga ligjëratat e Krasniqit as nuk ishin në përputhje me fenë islame e as me politikat e BIK-ut.

Por, tash pasi që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Krasniqit, aktualisht profesor i Sheriatit në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI)- organ i BIK-ut, këta të fundit po i dalin në krah.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka thënë se BIK fuqishëm beson në pafajësinë e Shefqet Krasniqit.

“Ne besojmë fuqimisht në pafajësinë e tij por nuk duam që të intervenojmë në organin e aktakuzës së gjyqësorit, prandaj e presim epilogun përfundimtar. Për atë që akuzohet ne besojmë fuqimisht që është i pafajshëm”, ka thënë Sadriu për Express.

Ndryshe, Prokuroria Speciale këtë javë ka deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë kundër ish-imamit Shefqet Krasniqi, aktakuzë me të cilën ai akuzohet për vepra që ndërlidhen me terrorizmin dhe për shmangie tatimi me biznesin e tij privat “Portat”.

Express ka provuar që gjatë këtyre ditëve të kontaktojë edhe Krasniqin, por i njëjti nuk është përgjigjur në numrat e tij që Express i ka në dispozicion.