Bashkësia Islame e Turqisë, financuese e xhamisë së re në Prishtinë

Bashkësia Islame e Turqisë, financuese e xhamisë së re në Prishtinë

Bashkësia Islame e Turqisë do ta financojë ndërtimin e xhamisë në lagjen Dardania të Prishtinës, nëse Kuvendi Komunal i Prishtinës jep lejen ndërtimore për këtë xhami.

Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) posedon parcelën e tokës tek lokacioni ku është planifikuar ndërtimi i kësaj xhamie të re në Prishtinë.

E kryetari i BIK-ut, Naim Tërrnava, ka thënë se donatori kryesor dhe i vetëm për xhaminë e re do të jetë Bashkësia Islame e Turqisë. E njëjta organizatë ka financuar edhe ndërtimin e një xhamie në Tiranë, disa vite më parë.

“Paratë për ndërtimin e xhamisë janë donacion nga Turqia, i njëjti burim që ka financuar edhe ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Problem është vetëm leja. Ata nuk munden të na e caktojnë neve se si do të duhet të duket projekti”, ka thënë Tërrnava për RTK-në.

Përmes një njoftimi për media të lëshuar të mërkurën, BIK bëri të ditur se Komuna e Prishtinës do ta ngrisë në diskutim në Kuvendin Komunal çështjen e lejës ndërtimore për xhaminë. Këtë, BIK e ka thënë pas një takimi që Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, e zhvilloi me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Sot, në një prononcim për Insajderin, asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi deklaroi se partia e tij e përkrah ndërtimin e kësaj xhamie në lagjën Dardania.

PDK në Prishtinë, ndërkaq, bënë të ditur për Gazetën Online Insajderi se nuk kanë ende një qëndrim zyrtar rreth lejës për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë. /Insajderi.com