Bashkësia Islame e Shqipërisë reagon ndaj “trajnerit në hije” të futbollistëve të kombëtares

Bashkësia Islame e Shqipërisë reagon ndaj “trajnerit në hije” të futbollistëve të kombëtares

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me videon e publikuar pak ditë më parë në rrjetet sociale, ku imami Ahmed Kalaja nxiste dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Armando Sadiku dhe Andi Lila, të tregonin histori denigrusese për besimin e krishterë.

Përmes një komunikate për mediat, KMSH dënon këtë akt, teksa thekson se janë marrë të gjitha masat që raste të tilla të mos përsëriten.

Komuniteti Mysliman, i bashkangjitet shqetësimit të bërë po sot nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, shprehur me anë të një shkrese ku kërkohej që të mos përsëriten më të tilla qëndrime si ato që shfaqte në video Ahmed Kalaja, imami i xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në Tiranë.

Në këtë kuadër, KMSH nënvizon se i qëndron shqetësimit të ngritur nga Qeveria shqiptare, sipas të cilës ky akt dëmton tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, një vlerë kjo e vyer e shqiptarëve ndër vite.

Reagimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si një institucion i promovimit të vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ka ndjekur me shqetësim publikimin e ndodhur disa ditë më parë, ku gjatë një bashkëbisedimi jo të kujdesshëm të shfaqur në mediat sociale midis dy futbollistëve të kombëtares dhe një imami, u la vend për keqkuptim dhe lëndim të ndjenjave dhe besimeve të tjera fetare. Rastin në fjalë e dënojmë dhe do trajtohet me seriozitetin maksimal nga Kryesia e KMSh me synim që raste të tilla të mos përsëriten. Duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm dhe korrekt me Komitetin Shtetëror të Kulteve, sqarojmë opinionin publik se bashkëndajmë shqetësimin e këtij institucioni, shprehur edhe me shkresën e fundit, në lidhje me ruajtjen dhe moscënimin e traditës së shquar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vlerë e vyer kjo e trashëguar ndër vite.