Basha në çadrën e luftës

Basha në çadrën e luftës

Nuk mund të kishte një përfundim tjetër përpos një proteste të pandalshme pas fjalimit më luftarak që Lulzim Basha ka mbajtur në karierën e tij.

Pasi i bëri thirrje njerëzve të tij nëse ishin gati për luftë, pasi i ftoi për përgjegjësi kurajo dhe sakrificë,  pasi i apeloi për marshim drejt qëllimit, dhe në fund pasi u zotua se ai vetë ndihet i gatshëm të qëndrojë përpara kryeministrisë, ngritja e një çadre në atë vend ishte veprimi më logjik.

Po aq llogjike është që edhe edhe ky fjalor radikal të shoqërohet nga veprime radikale. PD nuk kishte rrugë tjetër veçse të arrinte në këtë përfundim, pas pasqyrës 3 vjeçare që i ka bërë gjendjes në vend.

Nëse ajo përshkruan një Shqipëri të mbushur me banda, një parlament të populluar nga kriminelë, një qeveri të lidhur drejtëpërdrejt me drogën, një kabinet që vjedh me tendera koncesione apo leje ndërtimi dhe pas të gjitha këtyre ngre alarmin se ato do të bëhen bashkë për të vjedhur zgjedhjet, PD nuk i ka lënë mundësi tjetër vetes përveçse përdorimit të luftës ekstra politike.

Në këtë pikë ajo ngjan me ish opozitën socialiste para 21 janarit. Edhe ata pasi kishin vizatuar një pikturë të tmershme të qeverisjes Berisha, pasi kishin denoncuar krimin, vjedhjen, Shkëlzenin me Argitën, rrugën e kombit marëveshjen e detit dhe kutitë e mbyllura, u detyruan të dalin në rrugë dhe të bllokojnë bulevardin qëndror.

Motoja e atëhershme, njësoj se si kjo e tanishmja ishte: qeverisje banditeske nuk mund të përballohen në mënyrë ëngjëllore.

Pikërisht për këtë sot Basha lëshoi kushtrimin: A jeni gati për luftë?

Problemi më i madh pas kësaj shpalljeje tani është se ku e sheh Basha fundin e kësaj lufte.

Me aq sa ka treguar qeveria Rama nuk është e gatshme të tërhiqet. Ajo nuk ka ndërmend t’i japë fund vjedhjes galopante. Ajo nuk ka ndërmend të presë lidhjet me krimin. Ajo nuk ka ndërmend të luftojë seriozisht drogën.

Pra, njësoj si lufta politike, as metodat ektra politike nuk mund ta korrigjojnë qeverinë e Ramës sot, ashtu sikurse nu korrigjuan atë të Berishës dje.

Por në strategjijë e tij anti sistem Rama pati dy atu kryesore. Së pari pas protestave disa vjeçare ai arriti të krijojë imazhin e një vendi anormal në sytë e ndërkombëtarëve. Së dyti ai pati “fatin” që Berisha përveçse i korruptuar ishte edhe i dhunshëm. Pa 21 janarin vështirë se Rama do të ishte sot në pushtet.

Ndërsa Basha tani duket se i ka të pamunduar këto fryte të radikalizmit. Atij i kanë mbetur fare pak muaj deri në zgjedhje për të kthyer oponionin ndërkombëtar. Ndërsa nga ana tjetër ai e di që socialistët (e kanë traditë prej kohësh) më mirë lënë të digjet kryeministria sesa të mbajnë viktima mbi ndërgjegjje.

Pra në kushtet ku gjendet, Basha ka pak zgjidhje. Ai nuk e ka luksin të besojë, se mund t’i fitojë zgjedhjet, ai nuk është naiv të mendojë se do të arrijë qeveri teknike.

Nëse është serioz në shpalljen e rrugës radikale, nëse beson vërtet në shprehjen “ose zgjedhje të lira (që është e pamundur të ndodhin) ose s’ka zgjedhje fare, ai duhet të mendojë seriozisht për mospjesmarrjen në to.

Vetëm kështu, duke bërë këtë hara-kiri, ai mund ta dëmtojë vërtetë Ramën. Vëtëm kështu ai mund të japë, si socialistët pak vite më parë, imazhin e një vendi jo normal.

Çdo rrugë tjetër, kam frikë se do ta kthente në qesharake thirrjen e tij për luftë, do ta zhvleftësonte kushtrimin e tij: ”Unë jam gati”, do ta shndronte çadrën e sotme në një çadër cirku.

Çdo hap pas, tani që shpalli rrugën radikale, jo vetëm do ta shndërronte Bashën një një alibi të Ramës, por ajo do të rënonte përfundimisht besimin e tij tek mbështetësit. (Lapsi.al)