Bardhyl Meta: Gjyshja ime ka qenë pronare e 20 përqind të tokave të Prishtinës

Bardhyl Meta: Gjyshja ime ka qenë pronare e 20 përqind të tokave të Prishtinës

Deputeti i LDK-së, që ka garuar edhe për një mandat në Kuvendin e Kosovës, Bardhyl Meta, ka vazhduar të reagojë ndaj komenteve në rrjete sociale ndaj iniciativës së tij për themeluar një organizim të “prishtinasve të vjetër”.

Madje në një sqarim të gjatë të postuar në profilin e tij në Facebook, Meta ka dhënë edhe disa fakte për të argumentuar se ai është prishtinas i vjetër.

Sipas Metës, gjyshja e tij ka qenë pronare e 1/5 të tokave të Prishtinës që në përqindje i bie diku 20 për qind.

Ja postimi i tij i plotë:

* Nëse unë jam ndërkaq, Prishtinali, apo s’jam – meqë u shtrua në formë aq të ndytë e të pakulturë nga disa që rrugaqaven ditë e natë n’facebook – dhe meqë pati edhe talentë që sollën edhe konkludime të rreme e fyese, qe dy fjalë:

Kam lind në Prishtinë. Nana ime, vjen nga një familje me traditë mbi 500 vjeçare Prishtinase! Gjyshi im, Fetah Jashari, ka qenë Sekretarë i Prefekture së Prishtinës. Ka qenë poliglot, i shkolluar gjithandej, ndër bashkëpunëtorët dhe njerëzit më të afërt të Xhafer Devës, Ilaz Agushit, Ferhat Dagës etj, etj.

Bashkëshortja e tij, Gjyshja ime, Nafie Tërrnaku – Sedllari, ka qenë pronare e 1/5 së tokave të Prishtinës, dhe mbetet edhe sot mes tjerash, pronare e ligjshme – pra me Tapi, e 156 Hektarëve të uzurpuara e konfiskuara nga Mbretëria Serbe më 1933, dhe një pjesë tjetër, më 1945-1948 – tash pjesë të Ndërmarrjes Komuniste Ratari – si dhe një pjese tjetër, që e kanë edhe sot, Kolonët Serbe të Graqanicës, Llapnasellës e fshatrave serbe për rreth.

Për ata që, me dëshirë që t’na ofendojnë e etiketojnë, të gjithë “Prishtinalitë e Vjetër”, ashtu – en bloc – apo në toptan, e që na quajtën si “Turqeli”, e “Teneqexhi” e s’di çka, pa modesti po e shtojë se, vështirë të gjenden edhe në Shqipërinë e vitit 1940-të, emra – ashtu siç quhet nana ime – Teuta – apo siç quhen vëllezërit e saj, dajallarët e mijë, njëri Agron, apo tjetri, Agim! Ishin marr edhe me Babën tim… mjerim, o mjerim!