Barça, Patriots e Federer: 2017, viti ‘i misioneve’ të pamundura

Tre arritje të pabesueshme në vetëm 70 ditë. Kur sporti dhuron emocione të papërshkrueshme.

Barça, Patriots e Federer: 2017, viti ‘i misioneve’ të pamundura

Nëse viti 2016 u mbyll me fitoren e pabesueshme të titullit kampion në Premier Ligë të Leisterit të Klaudio Ranierit dhe suksesin e Clevland Cavaliers, që fituan ‘NBA 2016’, pasi përmbysën nga 1-3 në serinë finale kundër Golden State, 2017-ta duket se është viti i triumfeve të mëdha dhe historike: në fillim Roger Federer, që është 35 vjeç, fiton “Australian Open”, pastaj triumf me përmbysje i Patriots në Super Bowl dhe në fund, suksesi epik i Barcelonës kundër PSG-së në Ligën e Kampioneve.

Gjithçka në vetëm 70 ditë.

Konsideroheshin të dështuar, por kanë shkruar emrat e tyre që u shndërruan në epitafe të triumfit. Tre sporte të ndryshme, tenisi, futbolli amerikan dhe futbolli evropian ose “Soccer”, të bashkuar nga ajo çmenduri që vetëm bota e sportit di ta dhurojë, kur nga humnera më e zezë, shkruhen faqe të reja legjendash dhe pikërisht emri i tij, që tashmë në mënyrë të pashlyeshme merr një atmosferë hyjnore.

Roger Federer

28 janar, 5 shkurt dhe 8 mars, tre data që kanë ndryshuar historinë e sportit botëror. Fillon kështu, nga triumfi i Roger Federer në “Australian Open”. Lojtari më i madh i historisë së tenisit, i rikthyer nga një dëmtim pas 6 muajsh, ka fituar turneun e tij të 18 të Slam-it në moshën 35-vjeçare, 5 vjet pas triumfit të fundit në Uimbëlldon 2012 dhe ia arriti duke mundur në finale rivalin e mijëra betejave, Rafael Nadal, i cili gjithnjë e ka rraskapitur deri në fund të lojës, shkruan Gazeta-shqip.

Spanjolli është një nga të paktët që mund të ketë një bilanc pozitiv “kokë më kokë” me zviceranin. Një arritje e shndërruar në epike, sepse mbërriti pas 5 setesh dhe një beteje që zgjati më shumë se 5 orë dhe që ka hipnotizuar tifozët e gjysmës së botës.

Patriots

Nga Australia në Hjuston (Teksas), rruga nuk është e shkurtër, por arritja është e njëjtë. Tom Brady, sportisti më i mirë i historisë së NFL-së, udhëhoqi Patriots në përmbysjen e pabesueshme në “Super Bowl” kundër Atlantës: pasi shkuan 3-28, “Pats”, kanë përmbysur kundërshtarët në vetëm një pjesë loje dhe kanë triumfuar në kohën shtesë, duke qenë të parët në historinë e veprimtarisë më të ndjekur në botë.

Barcelona

Arritja e tretë, është vërtet historike dhe u realizua para tre ditësh. Në Katalonjë, 8 marsi nuk do të rikujtohet vetëm si Dita e Gruas. Kryevepra e Mesit me shokë, të cilët përmbysën rezultatin e ndeshjes së parë 0-4 në Paris dhe fituan 6-1 në “Kamp Nou” në çerekfinalet e Championsit për të 10-in sezon me radhë, bëhet me të drejtë përmbysja më e madhe që Kupa e Kampionëve/Champions League ka përjetuar ndonjëherë.

Më parë, asnjë nuk kishte arritur të përmbyste në 185% një rezultat prej 0-4. Por Barça ia doli: “més que un club” (“më shumë se një klub”), jo rastësisht është motoja e “marsianëve” të futbollit botëror.