Banorët e Shipitullës kërkojnë takim me kryeministrin Mustafa

Banorët e Shipitullës kërkojnë takim me kryeministrin Mustafa

Saim Krasniqi, përfaqësues i “lagjes Krasniqi” në fshatin Shipitullë, ka kërkuar nga kryeministri në largim i Kosovës Isa Mustfa, që të takojë banorët e fshatit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për situatën me energjinë elektrike në vend.

Këtë reagim ai e ka bërë pas një takimi që Mustafa zhvilloi me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, për të diskutuar rreth tejkalimit të kolapsit energjetik.

“Problemi nuk zgjidhet duke u atakuar ata me njëri-tjetrin, por është dashur që kryeministri me u taku me neve si banorë, për t’u njoftuar hollësisht cilat janë problemet  kryesore që e kanë blloku procesin e prodhimit të energjisë,” ka thënë ai në një reagim dërguar Insajderit.

Poashtu, ai ka kërkuar nga kryeministri Mustafa që të përgjigjet në “16 shkresat që ja kam dërguat në emër të lagjes që me ndërhy e me zgjedh problemin, ashtu siç kërkohet me ligj”.

“Unë i bëj thirrje publike kryeministrit dhe dy ministrave që të vizitojnë fshatin tonë e le të njoftohen nga vendi ngjarjes dhe shumë lehtë mund të vijnë deri tek zgjidhja e problemit. Kuptohet nëse ka vullnet të mirë”, ka thënë Krasniqi.

Kosova brenda disa ditëve mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

“Ishte dashur që të jetë alarmante edhe më herët, kur ne para një viti kemi njoftuar se i kemi ndalur operimet për shkak të bllokimit apo pamundësisë për ta zgjeruar minierën në drejtim të fshatit Shipitullë (Komuna e Obiliqit), për shkak të ndërtimeve jolegale, para ekskavatorëve”, ka njoftuar para disa ditëve drejtori i KEK-ut, Gjuka.

Në takimin e sotëm me kryeministrin, drejtuesit e KEK, MZHE dhe MMPH janë zotuar se do të përshpejtojnë veprimet për të zgjidhur sa më shpejtë problemet në pengesat pronësore dhe të ndërtimeve pa leje.

“Pritet që qytetarët, të cilat kanë prona në atë pjesë, të bashkëpunojnë me KEK-un dhe institucionet shtetërore, për të hapë rrugë që vendi të mos vjen në rrezik rreth energjisë elektrike, duke përfituar të gjitha të drejtat që atyre u takojnë. Prandaj, pengesat e përkohshme, vetëm sa mund ta dëmtojnë vendin dhe të krijojnë obligime të paparashikueshme të importit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim./Insajderi.com