Banorët e “Dardanisë” kërkojnë nga Gjykata të mos largohen nga banesat edhe një vit

Banorët e “Dardanisë” kërkojnë nga Gjykata të mos largohen nga banesat edhe një vit

Banorët e lagjes “Dardania”, të cilët janë larguar me forcë nga policia e Kosovës për shkak se kishin uzurpuar banesat në këtë lagje, sot ishin në një takim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ata kërkuan ndalimin e procedurës për lirimin e banesave, për një periudhë 1 vjeçare.

“Të gjitha këto qytetarë-banorë në Lagjen Dardania paraqitën gjendjen e rëndë në të cilën janë gjetur  si pasojë e kërkesës për lirimin e  banesave dhe i kërkuan kryetarit të gjykatës që të paktën për 1 vit të  lejoj qëndrimin e tyre në  këto banesa deri në gjetjen e zgjidhjes për problemin e strehimit”, njofton Gjykata.

Nga ana tjetër kryetari i Gjykatës Themelore ka theksuar se gjykata ka obligim ligjorë zbatimin e aktgjykimit të plotfuqishëm.

“Gjykata nuk ka të drejtë që pa kërkesën e kreditorit të ndërpres procedurën e ekzekutimit të aktgjykimit të plotfuqishëm”, thuhet në komunikatën për medie. /Insajderi.com