Bankat hapin degët online, japin edhe kredi

Bankat hapin degët online, japin edhe kredi

Përdorimi masiv i internetit, smartfonëve dhe teknologjisë është duke i orientuar bankat tregtare në vendin tonë gjithnjë e më shumë ndaj ofrimit të shërbimeve online. Pothuajse të gjitha bankat tashmë kanë hapur degët ne internet. Në web-et e tyre zyrtare, janë prezantuar degët online të cilat operojnë gati njësoj si degët në terren.

Hapësira virtuale ofron shërbimet në distancë për biznese dhe konsumatorë duke përfshirë jo vetëm pagesat utilitare, por edhe shitjen e produkteve të tilla si paketat e kredisë.

Nëpërmjet degës online të interesuarit për kredi të vogla lidhen në distance nga telefoni ose interneti me operatoret e bankës. Në këtë mënyrë analizohet shuma e kredisë dhe të ardhurat e disponueshme nga klientët. Pasi realizohet e gjithë ekspertiza nga ana e bankës klientët vijnë vetëm për firmë në sportele.

Ekspertët në bankat tregtare pohojnë se degët online më se shumti janë të fokusuara për pagesat e utilitare dhe faturat kryesisht. Gjithashtu ato japin asistence për përdoruesit e shërbimeve bankare online se si mund të shfrytëzohet home banking.

Më 2016 numri i transaksioneve nga “Home Banking” u rrit me 27 për qind, sipas Shoqatës së bankave.

Por me gjithë këto zhvillime hapësirat për të zhvilluar shërbimet e pagesa janë të mëdha.
Një studim i posaçëm i Bankës Botërore tregon se vendet e rajonit, ku përfshihet edhe Shqipëria kanë akses të ulët në këto shërbime dhe veçanërisht Shqipëria paraqitet shumë dobët.
Siç shihet nga të dhënat krahasuese, Shqipëria ka numrin më të ulët të pikave të shërbimit për pagesa ndër vendet 12 vendet e rajonit ECA, madje me diferencë shumë të madhe. Gjithashtu vendi ynë ka numrin më të ulët të ATM-ve. Situata dramatikisht ndryshe në aksesin në pagesa lidhet me faktin se institucionet e pagesave nuk janë të pranishme në zonat rurale te vendit tonë. Madje ato janë shumë të kufizuara jashtë rajonit Tiranë –Durrës.

Ekspertët ndërkombëtarë kanë analizuar se pagesat elektronike ofrojnë potencial të madh për të integruar familjet me të ardhura të ulëta. Nga këto shërbime prodhuesit bujqësorë, shitësit dhe segmente të tjera të marxhinalizuara të ekonomisë do të ulnin kostot.
Zgjerimi i shërbimeve të pagesave është gjithashtu instrumenti më efektiv për të formalizuar ekonominë. Me zgjerimin e pagesave jo cash qeveritë mund të kenë një pasqyrë më të sakte për zhvillimet në ekonominë reale dhe mund të shfrytëzojnë këtë panoramë për të mbledhur më shumë taksa.

Por, përdorimi i gjerë i pagesave elektronike kërkon përmirësime financiare, infrastrukture komunikimi, ligjore dhe rregullative.