Bale jashtë formacionit të klasikes, tifozët duan Iscon

Bale jashtë formacionit të klasikes, tifozët duan Iscon

Gareth Bale është gati për klasiken Real Madrid-Barcelona, që luhet sot në “Santiago Bernabeu”, por kush tha se ai duhet të luajë medoemos si titullar? Tifozët madrilenë kanë shprehur mendimin e tyre për formacionin që duhet të hedhë në fushë trajneri Zinedine Zidane, dhe në 11-shin e “Galaktikëve” nuk bën pjesë uellsiani, por Isco.

Në sondazhin e fundit të publikuar nga “Marca”, ku kanë votuar rreth shtatë mijë vetë, duket e qartë se i preferuari i tifozëve është spanjolli, shkruan Telesport.

Organizatori ka fituar gjithnjë e më shumë vëmendje në javët e fundit. Pavarësisht se në fillim të sezonit ka luajtur pak, ai ka shkëlqyer me kalimin e javëve.

Bale, ndërkohë, ka kaluar disa dëmtime radhazi dhe ende nuk është në formën e duhur fizike.

Kjo do të thotë se Zidane sot nuk mund të përdorë treshen e tij “BBC”, por mund ta kthejë sistemin e lojës në 4-3-1-2 (Isco si trekuartist).

Formacioni i tifozëve është ky: Navas, Carvajal, Nacho, Ramos, Marcelo, Modric, Casemiro, Kroos, Benzema, Isco, Cristiano Ronaldo.