Bale humbet gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve

Bale humbet gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve

Pas humbjes në “El Classico”, çka hapi garën për titull në La Liga, Real Madridi ka marrë sot një lajm tjetër të hidhur. Bëhet fjalë për përgjigjet përfundimtare të ekzaminimeve mjekësore të dëmtimit të Gareth Bale, të cilit do t’i duhet të qëndrojë rreth 1 muaj jashtë fushave të blerta, për t’u riaftësuar.

Anësori uellsian, siç njoftojnë mediat iberike, ka nevojë për tri, ose katër javë pushim, që të kalojë lëndimin, të cilin e pësoi në ndeshjen e fundit, kundër Barcelonës. Kjo do të thotë se njëri nga yjet e Real Madridit, të cilin Zidane nxitoi ta aktivizonte në klasiken e së dielës, në “Bernabeu”, pasi vinte nga një tjetër lëndim, do t’i humbasë të dyja gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, që “Los Blancos” do t’i luajnë kundër rivalëve të të njëjtit qytet, Atletico Madrid.

Në “El Classico” e fundit, uellsiani e nisi titullar kundër Barcelonës, por duhej të dilte i dëmtuar nga fusha në minutën e 35-të, kur në vend të tij hyri Asensio. Me këtë diagnozë, Gareth Bale do të humbasë ndeshjet e La Liga-s kundër Deportivo, Valencia dhe Granada, plus dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndaj Atletico Madrid.

Në qoftë se rimëkëmbja e tij shkon sipas planit, lojtari në fjalë do të arrijë të luajë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit spanjoll (ndaj Sevilla dhe Malaga), si dhe sfidën e shtyrë me Celta. Po ashtu, ai mund të ketë fatin të jetë pjesë e një finaleje hipotetike të Ligës së Kampionëve, nëse Real Madrid eliminon “robijancos” e Diego Simeones në gjysmëfinale të kompeticionit më të rëndësishëm për klubet në Europë.