Balaj: Kombëtarja mbetet e bashkuar edhe pas largimit të Abrashit dhe Xhakës

Balaj: Kombëtarja mbetet e bashkuar edhe pas largimit të Abrashit dhe Xhakës

Bekim Balaj, sulmuesi nga Shkodra, ka thënë se Kombëtarja mbetet e bashkuar pavarësisht largimit të Amir Abrashit dhe Taulant Xhakës nga ekipit kuqezi, ka thënë Balaj në një konferencë për media para ndeshjes miqësore ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Unë nuk e di arsyen e vërtetë pse Xhaka dhe Abrashi u larguan nga grumbullimi. Atmosfera në skuadër është e mirë, siç ka qenë gjithmonë. E kemi treguar përherë se kemi ecur mirë dhe kemi arritur rezultate falë grupit të mirë qe kemi  krijuar gjatë këtyre viteve”, ka deklaruar ai.

“Se një apo dy lojtarë mund të mos jenë pjesë e ekipit për arsyet e tyre, grupi vazhdon të jetë i fortë dhe të gjithë bashkë shohim përpara”, ka theksuar sulmuesi i Terek Grozny.

Balaj ka mbetur në bankën rezervë në humbjen e Shqipërisë ndaj Italisë. Por, ish sulmuesi i Rjekës, Sparta Pragës dhe Slavia Pragës respekton vendimin e trajnerit italian.

“Kur je pjesë e Kombëtares, normalisht dëshira është e madhe për të dhënë kontribut në çdo ndeshje. Aq më tepër në ndeshje të nivelit të tillë si Italia, që është ëndërr për gjithsecilin nga ne”, tha Balaj.

“Duke u kthyer në fëmijërinë tonë, jemi rritur me kampionatin italian. Dëshira ishte e madhe, gjithsesi zgjedhja e trajnerit ishte që të mos luaja në atë ndeshje. Tani vazhdojmë përpara, shohim ndeshjet e tjera”, shtoi ai.

Balaj ka thënë se shpreson që do të luajë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të shënoj gol në këtë takim.