Baki Abdullahu mohon pretendimet për krimi të organizuar me prona

Baki Abdullahu mohon pretendimet për krimi të organizuar me prona

Pronari i kompanisë Baki Automobile, Baki Abdullahu, ka reaguar pas përfshirjes së emrit të tij në listën e 51 personave të cilët dyshohen nga EULEX-i se kanë kryer krim të organizuar dhe tjetërsim të pronave.

Përmes një reagimi dërguar medieve, Abdullahu ka thënë se “nuk kam asgjë me pretendimet e as që kam të bëjë me ndonjë grup të tillë.”

“Unë jam pronar i disa parcelave të cilat siç duket nga ajo që kam kuptuar nga shkrimet në media dyshohen se kanë qenë prona publike apo shtetërore dhe të njëjtat janë bartur në subjekte tjera private dhe pastaj janë shitur të subjektet tjera apo ngjashëm. Ju siguroj se unë jam pronar me mirëbesim, dhe për këto defekte të pretenduara dhe pretendime po i dëgjoj tani tash dy ditë për herë të parë në jetë”.

Ai thotë se për këto parcela posedon kontrata valide të nënshkruara nga të gjitha palët.

Abdullahu ka thënë se “dëmin tashmë të shkaktuar do të kërkoj ta realizoj përmes procedurave gjyqësore”.

“Unë do të jem i hapur në çdo moment për organet e drejtësisë për ti ofruar çdo provë që disponoj dhe që dëmi material dhe jo-material nga veprimet dhe shpifjet të ndalen së paku ndaj një blerësi me mirëbesim dhe të ndërgjegjshëm”, ka përfunduar reagimin e tij Abdullahu./Insajderi.com