“Bajraktarizmi” për formimin e ushtrisë

Insajderi

Insajderi Mehdi Mulaj

09.03.2017 13:09
“Bajraktarizmi” për formimin e ushtrisë

Njeriu që kishte premtuar disa herë radhazi se do të transformohet FSK-ja në Forca të Armatosura të Kosovës, kishte ‘befasuar’ me të njëjtit premtim më 5 mars, në manifestimin e Epopesë së UÇK-së.

“Në ditët në vijim, shumë shpejt, brenda kompetencave të mia, do të ndërmarrë të gjitha masat që të nis procedurat për ndryshimin e ligjit për transformimin e FSK-së”, kishte thënë presidenti Thaçi para pjesëtarëve të FSK-së.

Pakkush e besoi këtë gjë, marrë parasysh se ky premtim nuk ishte realizuar tash e tri vjet.

Por, presidenti e mori nismën shumë shpejt. Më 7 mars ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së.

Këtë veprim e mbështetën në parim të gjitha partitë politike, përveç Listës Serbe.

Megjithatë, asnjë reagim zyrtar nga Qeveria. Kryeministri kishte zgjedhë që të uronte për ‘8 marsin’ dhe jo të sqaronte se çka po ndodh me nismën e presidentit.

Ndonëse presidenti Thaçi vazhdimisht proklamonte se këtë nismë e mori bazuar në kompetencat e tij kushtetuese si komandat suprem i FSK-së, kryeministri vendosi që të mos ia lë të gjitha meritat atij.

Një ditë më vonë (sot), nga Zyra e Kryeministrit del një qëndrim. Aty thuhet se për iniciativën e presidentit, kryeministri kishte kuptuar ditën kur ai e bëri publike në manifestimin e Epopesë së UÇK-së, më 5 mars.

“Projektligji është propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, si Komandant Suprem i FSK-së. Për propozimin e këtij Projektligji, Kryeministri është njoftuar nga Presidenti më datë 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Epopesë së UÇK-së”, thuhet në qëndrimin e Qeverisë.

Në komunikatën për media të Qeverisë thuhet se nismën për ta hartuar ‘planin A’ dhe ‘planin B’ për transformimin e FSK-së, e kishte marrë qysh pas debatit të 14 shkurtit që ishte zhvilluar në Kuvend për këtë çështje.

“Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që rezultoi nga debati për FSK-në të datës 14 shkurt të këtij viti, Kryeministri kishte kërkuar nga Ministri i FSK-së që të përgatitet Strategjia për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në duke zhvilluar një debat të gjerë me të gjitha palët, me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që të tejkalohen kushtëzimet dhe bllokadat që po i bëhen transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese”, vazhdon njoftimi.

Kryeministri kishte bërë të ditur kërkesën e shefit të NATO-s, Stoltenberg, për rishqyrtimin e vendimin për transformimin e FSK-së përmes ligjit.

Kundërshtimet ndërkombëtare për formimin e ushtrisë

Por një ditë më vonë, më 8 mars, erdhën reagimet e para ndërkombëtare nga NATO dhe ShBA.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte nxjerrë shqetësimin serioz të NATO-s ndaj vendimit të presidentit që transformimi i FSK-së të bëhet me ligj dhe jo me kushtetutë.

“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’ua përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, kishte thënë Stoltenberg.

Reagime erdhën edhe nga ambasada amerikane në Kosovë. Ajo kishte kërkuar që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese.

“Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësueseve që reflekton demokracinë shumetnike të Kosovës”, vazhdon komunikata.

Kundërshtimi i ambasadës amerikane shkoi deri në atë pikë, saqë thoshte se do ta rivlerësojnë bashkëpunimin bilateral.

“Miratimi i ligjit aktual të propozuar do të na detyrojë të rivlerësojmë bashkëpunimin tonë bilateral për kohë të gjatë dhe ndihmën për forcat e sigurisë në Kosovë”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

Këto reagime nuk i kishin bërë shumë përshtypje presidentit Thaçi, i cili dhe në orët e pasditës mbajti konferencë për media, duke thënë se nuk do të ketë hap prapa në procesin e transformimit të FSK-së.

“Përkundër shqetësimeve të bëra publike, ShBA-të në asnjë rrethanë nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë ShBA-të e kanë bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që ky ndryshim të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, kishte thënë ai./Insajderi.com