Bajgora: Asnjë fe nuk e ka ekstremizmin në bazën e saj

Bajgora: Asnjë fe nuk e ka ekstremizmin në bazën e saj

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, ka thënë se asnjë fe dhe atdhe nuk e ka në bazën e vetë ekstremizmin fetar, por është një fenomen global.

“Nuk ka fe të caktuar ose atdhe që është bazë e ekstremizmit fetar, por është fenomen global që na ka goditur edhe ne dhe bashkërisht duhet ta luftojmë”, tha Bajgora gjatë nisjes së konferencës “Qytetet e Forta në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”.

Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës zotohet se do të jetë pengesë e fortë kundër çdo lloji të ekstremizmit fetar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, theksoi se për ta luftuar ekstremizmin nuk mjafton vetëm puna e policisë.

“Në Republikën e Kosovës tashmë janë nëntë qytete që janë pjesë e rrjetit të qyteteve të forta, që merren aktivisht me luftimin e kësaj dukurie. Roli i komunave dhe i shoqërisë civile në përgjithësi është shumë i madh në këtë aspekt, sepse nuk mjafton vetëm puna e Policisë së Kosovës në luftimin e kësaj dukurie”, tha ministri Hyseni.

Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se përkrahë këtë iniciativë, duke thënë se ekstremizmi dhe terrorizmi është pranishëm në çdo vend të globit.

Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar se vetëm bashkimi i forcave mund ta luftojë këtë fenomen negativ.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale dhe Kosova është pjesë e globit dhe nuk është problem vetëm i Kosovës.

Ai tha se kjo nuk është problem vetëm për rendin dhe ligjin, por është e të gjithë shoqërisë, andaj qytetarët dhe komuniteti duhet të angazhohen në parandalimin e kësaj dukurie.

Kjo konferencë organizohet nga Strong Cities Network, ICITAP-i dhe OSBE-ja, i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së., thuhet në njoftimin e MPB-së./Insajderi.com