Bahtiri tregon mospajtimet me Rakiqin për hapjen e urës mbi Ibër

Bahtiri tregon mospajtimet me Rakiqin për hapjen e urës mbi Ibër

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur rreth problematikave politike të kufijve administrativë mes dy komunave veri-jug si dhe hapjes së urës së Ibrit.

Bahtiri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini, tha se sa i përket kufijve administrativë çdo gjë është e qartë dhe nuk do të ketë dialog rreth kësaj çështjeje.

Edhe për hapjen e urës së Ibrit ai tha se problemi i vetëm qëndron tek mënyra e hapjes së saj.

Sipas tij, Bashkimi Evropian (BE) dëshiron ta bëjë hapjen me ceremoni, ndërsa kryetari i Komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, dëshiron që ajo të bëhet pa ceremoni.

“Nuk besoj që ka probleme politike për t’u hapur ura. Mendoj që dëshira e BE-së është që hapja e urës të bëhet me ceremoni, e Rakiq dëshiron që ajo të bëhet në mënyrë normale”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se komuna e Veriut nuk do ta marrë asnjë centimetër nga ajo e jugut.

“Nuk ka problem tjetër. Asnjë centimetër nuk mund ta marrë veriu. Absolut jo sepse vendimmarrja e lartë në Prishtinë është pajtuar me mendimin tim dhe si e tillë ka përfunduar dialogu në mes të këtyre dy gjërave, urës dhe kufirit administrativ. Nuk dëshiroj as të ketë dialog në mes të këtyre dy çështjeve”, ka thënë Bahtiri.