Bahtiri e quan Idrizin kukull – ajo e akuzon për mashtrim

Bahtiri e quan Idrizin kukull – ajo e akuzon për mashtrim

Valdete Idrizi, kandidatja për kryetare nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Agim Bahtiri, kandidati për kryetar nga Aleanca Kosova e Re, janë të ftuar sonte në Magazinën Lokale në Klan Kosova.

Duke folur për punësimin dhe administratën në këtë komunë, ata nuk kanë kursyer edhe akuzat për njëri-tjetrin.

Idrizi ka thënë se Bahtiri po i mashtron qytetarët, ndërsa Bahtiri atë e ka quajtur kukull të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kandidatja e PDK-së tha se ajo do ta largojë nepotizmin në komunën e Mitrovicës, që sipas saj aty mbizotëron.

“Është jashtëzakonisht e nevojshme të bëhet reformë në administratë dhe të largohet nepotizmi që mbizotëron në komunë. Do të jetë një qeverisje transparente. Punësimet do të bëhen me konkurs të hapur”.

Ndërsa Bahtiri duke iu kundërpërgjigjur Idrizit ka thënë se “nepotizmin në Mitrovicë e ka sjellë Partia Demokratike e Kosovës”.

“Kjo është vetëm kukull e së keqes. Njerëzit nuk i zgjedh vet ja zgjedh tjetër kush. Krejt Mitrovica e dinë prej ka kanë ardhur nepotizmi”.

Tutje Bahtiri ka thënë se asnjëherë nuk e ka përdor kartelën e tij, gjë për të cilën u akuzua nga Idrizi.

“25 herë kam kanë në Bruksel – të gjithë shpenzimit i kam paguar personalisht”.