Bahtiri ka një kërkesë për pronarët lokaleve në Mitrovicë pas vrasjes së të riut

Bahtiri ka një kërkesë për pronarët lokaleve në Mitrovicë pas vrasjes së të riut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka dënuar vrasjen që ndodhi mbrëmë në lokalin hotelier “Check In”, afër lumit Ibër në Mitrovicë.

Ai ka kërkuar nga pronaret e lokaleve në Mitrovicë që të jenë më mirë të organizuar dhe të kujdesshëm nën kontrollin e hapësirës që menaxhojnë

Bahtiri e ka dënuar fuqishëm këtë akt të rëndë kriminal, pa marrë parasysh se si ka ndodhur dhe motivet. Ai ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të ndriçojnë rastin sa më parë dhe që dorasi të identifikohet dhe të arrestohet.

“Është tragjike kur një i ri humb jetën kur ishte duke punuar për të siguruar ndershëm ekzistencën për vete dhe familjen e tij. Ky rast ndodhi në kohën kur në Mitrovicë siguria dhe rendi e qetësia kishin marrë të mbarën dhe kur krimet kanë shënuar rënie drastike, duke bërë që qyteti të jetë një nga më të qetët në vend. Kërkoj nga pronarët e lokaleve që të jenë shumë më mirë të organizuar, të kujdesshëm dhe të kenë nën kontroll të plotë hapësirat që i menaxhojnë, në mënyrë që të parandalojnë konfliktet në të ardhmen”, Bahtiri.

Lajmin për incidentin Bahtiri e mori kur ishte duke u kthyer nga vizita zyrtare në Luginën e Preshevës. Ai u informua se i riu i qëlluar me armë zjarri ishte dërguar në gjendje të rëndë në QKUK, vetë Bahtiri shkoi për të mësuar për së afërmi se çfarë po ndodhë.

“Fatkeqësisht mjekët më kumtuan se e dhembshëm se i riu 23 vjeçar, është i vdekur. Ishte një moment tepër i dhembshëm dhe i pikëllueshëm. Vrasja i ka tronditur edhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës. Unë në emër të tyre dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet më të thella anëtarëve të familjes, shokëve dhe miqve të të ndjerit”, tha ai./Insajderi.com