Babai i vogëlushes së mitur prezantohet si vajza e tij, cakton takim me pedofilin

Babai i vogëlushes së mitur prezantohet si vajza e tij, cakton takim me pedofilin

Argjentinasi Walter Rodriguez vendosi të ballafaqohet me pedofilin i cili e ngacmonte vajzën e tij 11 vjeçe dhe caktoi takim me të, duke u shtirë se është vajza e tij me të cilën ai korrespondonte. Kur e vërejti, e rrahu keq dhe më pas e thirri policinë.

Pedofili, i cili më vonë u identifikua si German Acosta (29), ditë të tëra e shqetësonte vajzën e Rodriguez’it nëpërmes të mesazheve në “Whatsapp” dhe e bindte të takohet me të, por me kusht që ajo të mos tregojë askujt se me kë po takohet. Acosta nuk mendonte se vajza do t’i tregoj të gjitha babait të vet.

Prejse ajo i tregoi babait se çfarë po ndodh, ai kishte vazhduar të korrespondojë me pedofilin.

“Thuaju se shkon të takohesh me një shoqe”, ka shkruar Acosta, duke mos ditur se po korrespondon me babën e saj.

Ai i dërgonte mesazhe me konotacion seksual dhe kërkonte që ajo t’ia dërgojë fotografitë e saja me mbathje.

“Unë jam e virgjër”, ka shkruar Rodriguez, duke pretenduar se gjoja është vajza 11 vjeçe.

“Po kjo është super”, ka shkruar Acosta.

Më vonë Rodriguez ka thënë për medie se së pari e caktoi takimin me Acosta’n në shtëpi të tij, por se në këtë rast me siguri do ta vriste. Megjithatë, Acosta më vonë e ndërroi planin dhe kërkoi të takohen në rrugë në lagjen Vila Cresto në Buenos Aires.

Kur Rodriguez e kishte parë Acosta’n në rrugë, menjëherë ia kishte futur grusht në kokë, e më pas e kishte rrahur keq dhe e kishte thirr policinë. E kishte fotografuar pedofilin ashtu të përgjakur dhe fotografitë i kishte postuar në Facebook. Së bashku me fotografinë e tij i ka postuar edhe mesazhet e fotografuara të cilat ai i kishte shkëmbyer me vogëlushen, transmeton Insajderi.com.

“Ky njeri është pervers. I ka dërguar vajzës sime 11 vjeçe mesazhe dhe fotografi”, ka shkruar Rodriguez në Facebook.

Tani edhe Rodriguez edhe Acosta ballafaqohen me akuza, por asnjëri nuk është paraburgosur. Rodriguez është akuzuar për sulm ndaj Acosta’s, ndërsa ky për ngacmim seksual të miturës.

“Iu kam treguar të gjitha dhe nuk e kam të qartë përse ky njeri nuk është në paraburgim. Person i tillë nuk meriton të shëtisë i lirë nëpër rrugë”, ka thënë Rodriguez.

Ligji në Argjentinë parasheh se çdokush që ngacmon seksualisht të miturit, si në internet ashtu edhe nëpërmes të mesazheve në telefon mobil, do të ballafaqohet me dënim me burg prej gjashtë muajve deri në një vit.

“Pasi e kanë liruar, ekziston rreziku për shoqëri, sepse ai mund të ngacmojë ndonjë fëmijë tjetër”, ka paralajmëruar Hernan Navarro nga një organizatë joqeveritare e cila lufton kundër abuzimeve seksuale të miturve.

Navarro ka thënë se ky lloj i abuzimit nuk paraqitet mjaftueshëm në Argjentinë dhe se prindërit shpesh nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë mënyra pedofilët i qasen fëmijëve të tyre nëpërmes të internetit dhe mesazheve në telefona mobilë.

“Prindërit mendojnë se fëmijët janë të sigurt nëse janë afër tyre. Mirëpo fëmijët janë vetëm në internet”, ka shtuar Navarro./Insajderi.com.