Azem Sylën në QKUK po e ruajnë gardianët e burgut

Azem Sylën në QKUK po e ruajnë gardianët e burgut

Azem Syla në QKUK po ruhet nga gardianët e burgut. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit ia kishte rikthyer këtë masë nën dyshimin se ishte përpjekur të ndikonte në dëshmitarët e mbrojtur në rastin e njohur si “Toka”.

Avokati i tij, Tomë Gashi, ka thënë për Insajderin se, kur Gjykata e Apelit e ka rikthyer në paraburgim, ai ka qenë në QKUK.

“Në momentin kur Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore edhe i është caktuar paraburgimi, ai (Azem Syla) ka qenë në QKUK edhe i është dërguar vendimi gjyqësor, edhe ai qëndron aty”, ka thënë avokati Gashi.

Por Azem Syla, sipas avokatit, llogaritet i paraburgosur. Atë në QKUK po e ruajnë gardianët e burgut.

“I vetmi ndryshëm është që, tash për shkak të gjendjes së tij, janë gardianët e burgut që qëndrojnë afër tij, për shkak që e kanë punën e vet aty. Konsiderohet si i paraburgosur pasi që është i shtrirë në QKUK, para se të jepet vendimi”, ka shtuar avokati Gashi.

Pavarësisht se Syla është i shtrirë në QKUK, avokati Gashi thotë se ai do të marrë pjesë në seancën e 28 shtatorit.

“Në ditën e parë që e kemi seancën më 28 shtator, ai vjen, sepse janë edhe dy seanca të hetuesisë së veçantë, më 28 edhe 29, edhe po ashtu ka me dëshmua dëshmitari që i është përcaktuar paraburgimi. Ai ka dëshmuar para prokurorit më 21 shtator edhe tash është radha e mbrojtjes. Do ta marrim në pyetje, edhe me 29 përfundon hetuesia e veçantë për Azem Sylën edhe të tjerët”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi.

Insajderi kishte raportuar se Azem Syla ishte “sëmurë” menjëherë pasi Gjykata e Apelit ka miratuar kërkesën e prokurorit kundër vendimit të shkallës së parë që la të lirë Sylën pas dyshimeve se ishte përpjekur të ndikonte tek një dëshmitar i mbrojtur.

Burime të Insajderit kanë treguar se kur shërbimi korrektues ka shkuar për ta arrestuar Sylën në shtëpi, familjarët i kanë thënë se ndodhet në spital.

Sipas burimeve, EULEX-i kishte thirru Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës për ta marrë në QKUK, por mjekët kanë thënë se gjendja e Sylës është e rëndë.

“Mjekët janë arsyetuar se nuk mund të nënshkruajnë dërgimin e Sylës në burg në këtë gjendje”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, një gjyqtar i EULEX-it ka urdhëruar mjekët që deri të hënën të kryejnë të gjitha ekzaminimet. Nëse nuk e bëjnë këtë, gjyqtari ka paralajmëruar se do të sillet një mjek i EULEX-it. Syla ishte sëmurë edhe javën e kaluar, kur qe arrestuar dhe ndaluar për 48 orë./Insajderi.com

Azem Syla nuk ka shkuar në burg

Rrëfimi i dëshmitarit për dy sekserët e dyshuar të Azem Sylës