Avokati i të dyshuarit për vrasje tregon se çka ndodhi sot në “Bon Vivant”

Avokati i të dyshuarit për vrasje tregon se çka ndodhi sot në “Bon Vivant”

Rruga “Rexhep Luci” në kryeqytet e cila ishte bllokuar që nga orët e hershme të mëngjesit është liruar pak çaste me parë.

Sipas policisë së Kosovës ky aksion është bërë me urdhër të prokurorit të rastit për të rikonstruktuar rastin e vrasjes së një personi tri vite më parë në lokalin “Bon Vivant”.

Mexhid Syla, avokat mbrojtës i Masar Gërdovcit i akuzuar për vrasje, ka sqaruar se çka ka ndodhur sot nga autoritete e rendit në vendngjarje.

“Sot është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, verifikimi si ka ndodhur ngjarja, në bazë të deklaratave të akuzuarve, në bazë të deklaratave të dëshmitarëve. Prej orës nëntë kur kemi ardhur deri më tani është incizuar çdo gjë. Gjykata tani e përpilon procesverbalin, i cili iu dërgohet palëve; pastaj shpjegohen nga ekspertë e balistikës, ekspertët ligjorë, eventualisht ndonjë ekspert tjetër lidhur me ato prova dhe fakte që janë gjetur në vend të ngjarjes”, ka sqaruar Syla, për gazetarët.

Sipas tij, të akuzuarit vazhdojnë të mohojnë se e kanë kryer vrasjen. Ndërkohë, sipas tij mungesa e kamera të objektit po e vështirëson hetimin.

“Procesin e ka vështirësuar mungesa e kamerave të objekteve përreth… Problemi tjetër është se nuk janë marrë shenjat e gishtërinjve të personave të dyshuar dhe krejt këto e vështirësojnë situatën”, shprehet Syla.

Rrahman Uka, punëtor i sigurimit në kafeterinë “Bon Vivant”, kishte mbetur i vrarë më 13 tetor të vitit 2014, pas një konflikti që kishte ardhur si pasojë e moslejimit të futjes në lokal të një personi. Për këtë vrasje akuzohen dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.